Aktualitet

Sot vendimi i Gjykatës Tiranë për statutin e Grupit të Rithemelimit të PD-së!

Në Gjykatën e Tiranës sot shqyrtohet kërkesa e Grupit të Rithemelimit të Partisë Demokratike për ndryshimet statutore të miratuara në Kuvendin e thirrur nga Berisha, më 11 dhjetor 2021. Por, përfaqësuesit e palës tjetër kundërshtojnë shqyrtimin nga gjyqtari Agron Zhukri.

Sipas Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi, “Zhukri nuk mund të marrë në shqyrtim kërkesën e Grupit të Rithemelimit për Regjistrimin e Statutit të 11 dhjetorit, sepse për të nuk ka dosje”. PD-ja zyrtare ankimoi vendimin që gjykata mori më 18 Mars, kur regjistroi ndryshimet statutore të Kuvendit të 17 korrikut 2021. Ndërkohë, shton se Gjykata duhet të kishte shqyrtuar edhe kërkesën tjetër të Partisë Demokratike, për regjistrimin e ndryshimeve në Statutin e Kuvendit të 18 dhjetorit.

Sipas juristëve të Partisë Demokratike, gjyqtari Agron Zhukri nuk mund të shqyrtojë një kërkesë të Rithemelimit për ndryshim të statutit të PD-së, bazuar në Kuvendin e 11 dhjetorit, pasi ekziston vetëm një PD dhe dosja me ndryshimet statutore është ankimuar prej tyre në Apel. Ende nuk dihet nëse Apeli e ka marrë në shqyrtim këtë ankimim të selisë blu.

Në seancën e 18 Marsit kur u miratuan ndryshimet statutore të 17 korrikut, juristi Indrit Sefa tha se ende nuk e kishte dorëzuar kërkesën për 18 dhjetorin. Megjithatë, gjithçka pritet të sqarohet sot. Pas deklaratave të Gazment Bardhit me arsyet se përse sipas tij, Zhukri nuk mund të marrë në shqyrtimin çështjen, Komisioni i Rithemelimit e akuzoi për kërcënime ndaj gjyqtarit, duke shtuar se “kjo përbën vepër të rëndë penale”.

Kuvendi i thirrur nga Berisha miratoi me ngritje dore ndryshimet në Statut, ndërsa të pranishëm ishin 4934 delegatë. Ndër më të rëndësishmit ishte neni që detyron kryetarin e partisë të largohet nëse humb zgjedhjet e përgjithshme dhe të kalojë në votëbesim në rast të humbjes në ato lokale. Në këtë statut, Berisha riktheu referendumin e anëtarëve për vendime të rëndësishme, çka hyri në fuqi në një javë, me referendumin për shkarkimin e Bashës.