Aktualitet

Spiropali: Në 21 janar nuk pati vdekje aksidentale, por vrasje shtetërore!

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali në një deklaratë për mediat në 12 vjetorin e ngjarjes së rëndë të 21 janarit tha se nuk ishte vdekje aksidentale, por vrasje shtetërore.

Ajo shprehet se ky është një fakt i ri që bërtet shumë fort për drejtësi dhe që kërkon reagimin e menjëhershëm të organeve të drejtësisë.

“E dinë të gjithë që në 21 janar nuk pati vdekje aksidentale, po vrasje shtetërore. Por publikimi dje i transkriptit të një audioje ku flitet për armë zjarri dhe gatishmëri për zjarr sapo protestuesit të kalojnë gardhin, ndërkohë që katër dëshmorët e asaj dite të zymtë u vranë shumë larg gardhit të Kryeministrisë, kërkon reagimin e menjëhershëm të organeve të drejtësisë.

Ky është një fakt i ri që bërtet shumë fort për drejtësi në emër të viktimave, jetimëve, familjarëve dhe vetë demokracisë së përgjakur në 21 janar.

Nuk jam këtu për të bërë politikë sot, në ditën e homazheve që sot do të bëhen me një dritëz të re shprese se drejtësia e re do të hapë menjëherë hetimin e çështjes. Jam këtu për të thënë se ne nuk kemi hequr e nuk do të heqim dorë kurrë nga drejtësia për 21 janarin, por drejtësinë e kërkojmë nga drejtësia. Sot edhe më shumë sepse ato zëra nga shpella e vrasjeve të asaj dite tragjike, flasin vetë edhe më shumë se sa të gjitha fjalët tona”, tha Spiropali.

Kujtojmë se në 21 Janar 2011 opozita socialiste kishte thirrur një protestë pas publikimit të një video në emisionin Fiks Fare,  ku Ilir Meta atë kohë zëvendës kryeministër, në qeverinë Berisha shfaqej me një bllok të zi në dorë, duke bërë pazare me ish-ministrin e ndjerë Dritan Prifti. Protestuesit u përballën me plumbat e Gardës së Republikës, ku krahas Aleks Nikës mbetën të vrarë edhe Hekuran Deda, Ziver Veizi dhe Faik Myrtajt.

Të vetmit të dënuar për këtë krim të 12 viteve më parë janë ish-komandanti i Gardës së Republikës Ndrea Prendi me një vit burg dhe gardisti Agim Llupo me tre vite burg. Vrasja e Aleks Nikës, 12 vite më pas vijon të mbetet pa autor.