Aktualitet Politikë

Statuti i PD-së, shtyhet seanca gjyqësore për më 13 nëntor!

Gjykata e Tiranës u mblodh për të shqyrtuar kërkesën e Partisë Demokratike lidhur me regjistrimin e ndryshimeve statutore të 2 shtatorit, për certifikimin e Lulzim Bashës si kryetar i PD-së. Por, përfaqësuesit ligjorë të Bashës, Indrit Sefa e Rezart Kthupi kërkuan përjashtimin e gjyqtarit të çështjes Niko Rapi, me pretendimin se po tregohet “i anshëm”. Kjo kërkesë e detyroi Rapin ta shtyjë seancën për më 13 nëntor.

Më herët, gjyqtari rrëzoi pretendimet e tyre për dokumentacion shtesë mbi mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të zhvilluar online, me kërkesë të Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi më 28 korrik. Aty u kërkua të mos mbaheshin zgjedhjet për kryetar të Partisë Demokratike, zgjedhje ku Basha u rizgjodh kryetar i PD-së. Përmes atyre votimeve  u zhvillua edhe mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD-së më 2 shtator. Sefa deklaroi:

Ne kemi dyshime të arsyeshme se në dosje mungon dokumentacioni i nevojshëm për të legjitimuar procesin. Ne na rezulton që mos të jetë mbledhur Këshilli Kombëtar, pasi nuk mbështetet askund në legjislacion. Ne kemi dyshime të arsyeshme se kjo mbledhje nuk ekziston dhe jemi në kushtet e falsifikimit të dokumenteve. Ne i kërkojmë dokumentacionin pasi pala e përfshirë në proces pretendon se ka organizuar dhe mbledhur Këshillin Kombëtar.

Lidhur me këtë kërkesë reagoi edhe përfaqësuesi ligjor i palës tjetër, Marash Logu. Sipas tij, në gjykatë është dorëzuar i gjithë dokumentacioni i nevojshëm e nuk ka më dokumentacion shtesë.

Vazhdim i lojës së turpshme të Bashës për ta mbajtur pezull dhe zvarritur statutin e PD-së. Përfaqësuesit e Bashës përdorin çdo lloj truku për ta shtyrë. Ajo që kemi thënë në këtë proces gjyqësor është se pavarësisht çdo mjeti, nuk ka gjykatë që mund të legjitimojë vendimmarrjet e Kuvendit të 2 shtatorit. Frika që kanë përfaqësuesit e Bashës i shtyn sot të bëjnë aktin e radhës të turpshëm dhe të paligjshëm për të kërkuar përjashtimin e gjyqtarit.

Kërkojnë gjëra që i kanë. Janë manovra që ky proces të mos shkojë deri në fund dhe gjykata të mos dalë më vendimin që pritet të dalë, që është pezullimi procesit derisa të zgjidhet në gjykatë. Eshtë e katërta herë që shtyhet, që është skandaloze. Ne si përfaqësues të Berishës kemi kërkuar pezullimin e këtij gjykimi, për sa kohë që nuk zgjidh në themel, nuk mund të regjistrohen kërkesat e Bashës!