Aktualitet

Sulmi kibernetik, Kuvendi i Shqipërisë: Nuk janë prekur të dhënat!

Kuvendi i Shqipërisë bënë të ditur se nga sulmi kibernetik ndaj faqes online të Parlamentit një ditë më parë, nuk janë prekur të dhënat dhe nuk ka asnjë humbje të materialeve.

Në një njoftim për shtyp, Kuvendi bën të ditur se sulmi kibernetik ndaj faqes zyrtare synonte ndërhyrje në infrastrukturë dhe tentativë për të fshirë të dhënat. Por kjo gjë nuk ndodhi, sipas Kuvendit, pasi ekspertët reaguan kur konstatuan ndërhyrje online nga jashtë institucionit.

Sipas njoftimit zyrtar, sulmi kibernetik ka ndodhur nga IP të shteteve të ndryshme, nga të cilat asnjë nuk ishte shqiptare.

Ndërkohë që po verifikohet se cilat janë pasojat apo dëmet që ka shkaktuar ky sulm kibernetik.

Nga ky sulm një ditë më parë u godit edhe një kompani private në Shqipëri.

Sulmin kibernetik ndaj faqes online të Kuvendit të Shqipërisë e ka marrë përsipër grupi “Homeland Security” që besohet se lidhet me hakerat iranianë të cilët sulmuan edhe sistemin qeveritar të Shqipërisë disa muaj më parë.

NJOFTIMI I KUVENDIT TË SHQIPËRISË:

Kuvendi i Shqipërisë: Nuk ka humbje të të dhënave nga sulmi kibernetik, po punohet për rikuperim të plotë

Gjatë ditës së djeshme është konstatuar një sulm kibernetik ndaj institucionit të Kuvendit të Shqipërisë. Sipas ekspertëve, nga ky sulm është synuar ndërhyrje në infrastrukturë dhe tentativë për fshirje të të dhënave.

Ju bëjmë me dije se nuk janë prekur të dhënat në sistem dhe ekspertët janë angazhuar plotësisht, që prej momentit kur kanë detektuar këtë ndërhyrje nga jashtë institucionit.

IP-të e evidentuara gjatë sulmit kibernetik vijnë nga shtete të ndryshme dhe nuk rezulton asnjë IP shqiptare, e aq më pak nga ndonjë institucion shtetëror.

Ekspertët e IT po punojnë për të zbuluar se çfarë pasojash ka sjellë ky sulm në sistemin e Kuvendit të Shqipërisë.

Për sa më sipër, dalja LIVE e shërbimeve kërkon kohë pasi po kontrollohen të gjitha detajet dhe vijon puna për të kthyer në normalitet faqen e Kuvendit të Shqipërisë.