Bota

Sulmi rus në Odesa me 20 viktima, Zelensky: I neveritshëm/Shqipëria e dënon!

Të paktën 20 persona u vranë në sulmet me raketa ruse në qytetin jugor të Ukrainës, Odesa, duke përfshirë punonjës të shpëtimit të cilët u përpoqën që të shpëtonin të tjerët, por u goditën nga një raketë e dytë e forcave pushtuese të Moskës. Lajmin e konfirmuan dje në mbrëmje autoritetet ukrainase.

Presidenti i vendit, Volodymyr Zelensky i dënoi ashpër sulmet duke i konsideruar ato si “të neveritshme”. Po ashtu, bëhet e ditur se gjatë tyre mbetën të plagosur 70 persona. Ndër të tjera, Autoriteti i Mbrojtjes Civile informoi edhe se 10 ndërtesa banimi u dëmtuan nga shpërthimet e orëve të fundit.

Në mesazhin e mbrëmjes së djeshme, kreu i shtetit Zelensky, vuri në dukje se kërkimi i njerëzve ndoshta ende të bllokuar nën rrënoja do të vazhdonte pa ndërprerje. Guvernatori i rajonit, Oleh Kiper e shpalli të sotmen, ditë zie.

Odesa dhe porti i saj janë një objektiv i rregullt i sulmeve ruse me raketa dhe dron, në luftën e nisur nga Rusia më shumë se dy vjet më parë, më 24 shkurt të vitit 2022.

Ushtria ruse lëshoi 27 dronë luftarakë nga jugu i gadishullit të Krimesë, i aneksuar ilegalisht më 2014-ën dhe nga verilindja, drejt objektivave në Ukrainë, sipas autoriteteve ukrainase. Mbrojtja ajrore ukrainase rrëzoi të gjithë dronët, përfshirë 15 që u shkatërruan në afrimin e tyre drejt kryeqytetit Kiev.

Por, ashtu siç ndodh shpesh në sulme të tilla, mbetjet nga dronët e shkatërruar godasin objektet civile. Ndërkaq, ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi dënoi sot sulmin e radhës së Federatës Ruse në Odesa. Ministri Peleshi theksoi se ngushëllimet dhe solidariteti shkojnë për njerëzit e pafajshëm që humbën jetën dhe për ata dhjetëra të tjerë të mbetur të plagosur nga goditjet.

Po ashtu, Niko Peleshi nënvizoi edhe se Shqipëria qëndron deri në fund, në krah me “Ukrainën heroike”. Në një reagim në rrjetet sociale, ministri i Mbrojtjes shkruan:

Dënojmë me forcë sulmin e radhës të Federatës Ruse në Odesa. Ngushëllimet dhe solidariteti ynë shkon për njerëzit e pafajshëm që humbën jetën dhe për ato dhjetra të tjerë të plagosur. Në këto kohë të vështira, Shqipëria qëndron deri në fund në krah me Ukrainën heroike.