Sport

Superiore/ Java e 23-të e ndarë në dy ditë, duelet dhe oraret e sfidave!

Java e 23-të e kampionatit “Abissnet Superiore”, do të luhet të shtunën dhe të dielën.

Takimi i parë i kësaj jave do të jetë Egnatia-Laçi, sfidë që do të zhvillohet të shtunën në “Arena Egnatia” duke nisur prej orës 13:30. Të dyja skuadrat vijnë nga një moment i mirë në kampionat dhe do të kërkojnë fitoren në këtë sfidë.

Bardhezinjtë e Josës numërojnë shtatë ndeshje pa humbje, ku kanë regjistruar dy fitore dhe pesë barazime. Ndërsa Egnatia kryesuese, pas tre fitoreve radhazi barazoi në sfidën e fundit në “Arenën e Demave“ me Partizanin.

Të shtunën do të luhen edhe dy takime të tjera (17:00). Në “Loro Boriçi“, Vllaznia do të presë Teutën. Shkodranët synojnë të rikthehen te fitorja pas dy barazimeve radhazi, ndërsa durrsakët kërkojnë vazhdimësinë pasi siguruan triumfin e parë për këtë vit në kampionat ndaj Skënderbeut.

Në të njëjtën orë do të luhet edhe një tjetër takim që premton spektakël: derbi Dinamo City-Partizani. Djemtë e Dritan Mehmetit po kalojnë një moment të mirë në kampionat, pasi kanë triumfuar në dy sfidat e fundit. Ndërsa “të kuqtë” kanë lëshuar terren me kreun dhe synojnë të rikthehen te fitorja.

Të dielën do të zhvillohen dy ndeshjet e fundit të kësaj jave. Në orën 17:00. Tirana do të përballet me Erzenin në stadiumin “Air Albania”. Bardheblutë u rikthyen te fitorja në Kukës dhe do të kërkojnë triumfin e radhës. Në krahun tjetër ekipi shijakas vjen pas tri humbjeve radhazi në kampionat. Dhe do të synojë të marrë një rezultat pozitiv në kryeqytet.

Takimi tjetër është Skënderbeu-Kukësi. Në Korçë, vendasit synojnë të hedhin pas krahëve disfatën e fundit me Teutën dhe do të kërkojnë fitoren në shtëpi. “Finale” për Kukësin e vendit të fundit. Verilindorët do të tentojë të rikthehen te rezultatet pozitive pas katër humbjeve radhazi.