Bota

Takimi në Itali, Rama, Vuçiç e Kovaçevski bisedojnë për Open Balkan! Takimi radhës në Tiranë!

Kryeministri Edi Rama ndodhet në panairin e verërave në Bardolino, Itali, ku zhvilloi takim trepalësh me presidentin serb Aleksandër Vuçiçdhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Në fokus të bisedimeve ishte edhe ‘Open Balkan’, për të cilin Rama përmendi sërish rëndësinë duke shtuar se shëmbimi tregtar u rrit me 24.8% falë bashkëpunimit të 3 vendeve.

Ai theksoi se është e rëndësishme që të tre vendet të punojnë në një këndvështrim strategjik për forcimin e lidhjeve me BE-në, forcimin e bashkëpunimit dhe në të njëjtën kohë për të siguruar që të ketë një dialog  dhe sqaroi se procedura nuk është në kundërshtim me integrimin europian.

“Ky është një shans i madh për të folur për bujqësinë, prodhimin e verës, sfidat dhe ambiciet tona. Ky është një shans i madh që prodhuesit tanë të kontaktojnë dhe të krijojnë marrëdhënie me prodhues të tjerë në rajon”, tha Rama.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Rama bëri të ditur se takimi i radhës do të jetë në fund të majit në Shqipëri, ku do të mbahet edhe një panair vere në Shqipëri.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se kanë biseduar se si të ndihmohen njerëzit e thjeshtë dhe si të hiqen të gjitha pengesat e të mundësohet tregtia e lirë dhe qarkullimi i lirë i mallrave dhe njerëzve.

“Ne folëm për shumë çështje të rëndësishme për të bërë gjithçka gati para fillimit të sezonit veror. Mendoj se do të jetë shumë e rëndësishme. Ne folëm edhe për shumë çështje të tjera, si ato që kanë të bëjnë me guximin”, tha Vuçiç.

Ndërsa kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitër Kovaçevski, u shpreh se “Ballkani i Hapur” është një iniciativë që jep rezultate në ekonomi.