Aktualitet Dilema Sociale

Taksimi i dyfishtë për të dypunësuarit, opinion nga Eno Popi.

Një tjetër episod i Dilemës Sociale, teksa kam bindjen që shumë ‘syresh’ janë në timon sepse fundjavat në lëvizje….ky është rituali i zakonshëm gjatë gjithë sezonit veror.

Dhe nëse ndërtoj profilin e shqiptarit me të ardhura mesatare që leviz në fundjavë, mendoj që së paku një zë në buxhet për 2 netë hotel me familjen, karburati i makinës dhe drekat e darkat do t’i kapin një kosto diku tek 45% të të ardhurave të javës së punës…

Ka nga ata që thonë se mund t’u shkojnë edhe me shumë, sepse për të mos lënë familjen në rutinën e qytetit, mund të harxhojnë edhe 80% të këtyre të ardhurave…

Dhe këtu vijmë tek një detaj, që për të përballuar disa shpenzime që të mos bëjnë gropë xhepin familjar, shtynë së paku një nga dy pjesëtarët e familjes të ketë një punë të dytë, apo të shfrytëzojë mundësinë për të bërë para extra në këtë vend…

Dhe kjo është krejt normale, si tipologji e tregut të punës, ku shumë profesionistë, kapitalizojnë në para, aftesitë apo njohuritë e tyre në disa drejtime.

Zyrtarisht në Shqipëri, tatimet tregojnë se janë rreth 35 mijë të dypunësuar në vend. Pra, fuqi punëtore e kontrolluar, me të ardhura të deklaruara dhe që paguajnë në bazë të të ardhurave që marrin tatime dhe kontribute, të cilat shkojnë si taksa për të mirat publike që i perfitojmë të gjithë…

Mos t’i hyjmë debateve se si ne përfitojmë nga taksat që paguajmë, se shqiptarët e dinë fort mirë se përveç fjalëve në ajër dhe lugës boshe me shërbime falas, kudo që kanë së paku një hall apo problematikë duhet të gjejnë nga një mundësi për të paguar ekstra që të marrë atë qe u takon.

Por le të mbetemi tek shteti qe mbahet me taksat tona. Këtë vit kushdo që me përgjegjësi, çdo vit bën vetëdeklarimin e të ardhurave, në qoftë i dypunësuar ka vënë re, se veç tatimit që i është mbajtur muaj për muaj në paga, shteti ka vendosur t’i përllogarisë dy pagat në në 1, të dyja pagat dhe t’i taksojë sërish duke i përllogaritur një shumë debie, që më e pakta fillon me nga 1 milion të vjetra e sipër…..

…mendo të keni edhe nga 3 punë të paguara çfarë grope shkoni…..

pra një sistem i përllogaritjes së Ministrisë së Financave, që nxjerr debitor, me një takim ekstra, krejt surprizë, së paku 35 mijë njerëz në këtë vend.

Të cilët janë familjarë, profesionistë të angazhuar apo të lirë, intelektualë dhe kapacitete në tregun e punës që bëjnë së paku dy punë…

Dhe sa… llogarisni nga 13% deri në 23%…? por a është folur për këtë?

Shumë pak. Mediat e specializuara si Monitor apo Scan janë përpjekur të nxjerrin sesi tipologjia e punëtorit në këtë vend do hajë thikën e një tjetër detyrimi që do ia heqë shtëpisë, që kishte përllogaritur për pushimet familjare, shkollën e fëmijëve, kurset jashtëshkollore të fëmijëve, blerjet personale, qoftë edhe kursime që duan t’i mbyllin nëpër banka.

Pra, të gjithë ju që jeni të dypunësuar, do e gjeni veten me një borxh të ri, të llogaritur nga shteti, edhe pse jeni taksuar një herë… Por taksimi i dyfishtë, ishte surpriza e këtij fillim viti.

A e ngrenë shtetin këto para? Natyrisht që jo. Por shpojnë dhe bëjnë gropë xhepin e familjes me të ardhura mesatare në këtë vend.

A duhej që t’u vendosej në kurriz kjo lloj barre njerëzve punëtorë? Gjithkush e sheh nga llogaria e vet financiare, por një gjë është e sigurt, me taksa agresive, politika as e majtë dhe e djathtë nuk justifikon dot shtetbërjen. Mllefin dhe mërzitjen e punëtorëve aktive në këtë shoqëri, po.

Sot në këtë program tek Dilema unë e flas me Enio Civicin, Ornela Liperin dhe Zana Guxhollin.