Aktualitet

Tatimet: Biznesi fason, skemë mashtrimi me sigurimet e punonjësve/Edhe italianë të përfshirë!

Tatimet zbulojnë një skemë mashtrimi me sigurimet shoqërore të punonjësve në biznesin fason, me përfshirje të shtetasve shqiptarë e italianë, në disa qytete të vendit tonë. Subjekte të ndryshme që operojnë në sektorin fason e të lidhur me njëri-tjetrin kanë përdorur skemën e hapjes dhe mbylljes së NIPT-ve. Po ashtu, kalimin e biznesit nga një emër në një tjetër dhe kjo me qëllim shmangien e pagesës së sigurimeve shoqërore për punonjësit e tyre. Këta të fundit janë dëmtuar, duke iu rrezikuar pensionin e mbulimin e shërbimeve shëndetësore. Ndaj shtetit janë shmangur detyrimet fiskale.

Në njoftimin zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, thuhet:

Në subjektet e identifikuara nga administrata tatimore janë konstatuar individë me shtetësi shqiptare dhe italiane, që ushtrojnë aktivitete ekonomike në disa qytete të Shqipërisë, të cilët kanë transferuar aktivitetin e tyre, nga një emër në një emër tjetër, si palë të lidhura, me qëllim shmangien e mundësisë së administratës tatimore për mbledhjen e detyrimeve të punonjësve të tyre.

Administrata tatimore bën të ditur se këtë fenomen e konsideron si një nga shkeljet më të rënda që një biznes i bën shtetit, si dhe punëmarrësit, pasi këto biznese jo vetëm kanë shmangur detyrimet fiskale, por gjithashtu me veprimet dhe mosveprimet e tyre, nëpërmjet skemave të ngritura kanë dëmtuar edhe punonjësit e tyre, të cilëve për një kohë të caktuar nuk i kanë paguar sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, duke i rrezikuar pensionin si dhe mbulimin e shërbimeve shëndetësore.

Për këto raste, administrata tatimore ka nisur një hetim e që më pas do të pasohet dhe nga kallëzim penal të këtyre shoqërive.