Bota

Tërhiqet Rusia, vazhdon bashkëpunimi me Amerikën për fluturimet në hapësirë!

Numri një i agjencisë ruse të hapësirës “Roscosmos” deklaroi gatishmërinë e Moskës për të zgjatur një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për fluturimet e përbashkëta në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS).

Sipas agjencisë së lajmeve Interfax, drejtuesi i “Roscosmos”-it, Yuri Borisov, shtoi se është duke u përgatitur një marrëveshje e re për të lejuar fluturimet e kryqëzuara që të vazhdojnë në vitet 2024 dhe 2025.

Më parë, Moska kishte deklaruar se do të ndërpriste bashkëpunimin me SHBA-të në hapësirë, por tani po lëkundet nga ky qëndrim. ISS është një nga pikat e pakta ku të dy vendet ende janë duke punuar së bashku, që nga shpërthimi i luftës ruse në Ukrainë, në shkurt të vitit të kaluar.

Mjafton të kujtojmë që një ditë më parë, astronautja amerikane e NASA-s, Loral O’Hara nisi misionin e saj në hapësirë në bordin e një kapsule “Soyuz”, së bashku me homologët rusë Oleg Kononenko e Nikolai Chub.

Ata u nisën nga kozmodromi Baikonur në Kazakistan. Në stacionin hapësinor u ulën pas tre orësh fluturim. O’Hara do të kalojë gjashtë muaj atje, ndërsa Kononenko e Chub, një vit. Kjo treshe duhej të fluturonte pranverën e kaluar, por kabina e tyre nevojitej si zëvendësuese për një ekuipazh tjetër. Ai ekuipazh i përbërë po nga dy rusë dhe një amerikan do të kthehet në shtëpi, në fund të këtij muaji.

Qëndrimi i tyre në stacionin hapësinor u zgjat nga gjashtë muaj në një vit kur kabina e anijes kozmike Soyuz pësoi një rrjedhje në mekanizmin e ftohjes teksa ishte parkuar në stacion. Për shkak të marrëdhënieve jashtëzakonisht të tensionuara të dy vendeve, kohët e fundit, Rusia përsëriste se do të ndërpriste bashkëpunimin pas vitit 2024 dhe se do të ndërtonte stacionin e saj orbital.

Megjithatë, duke qenë se ndërtimi i një stacioni hapësinor zgjat disa vite, më vonë, Moska njoftoi se po konsideronte të qëndronte në bordin e ISS, të paktën deri në vitin 2028.