Aktualitet Lajmet e fundit

Lëkundje tërmeti, ndihen edhe në Tiranë!

Lëkundje tërmeti janë regjistruar sot në vendin tonë. Sipas IGJEUM-it, Institutit të Gjeoshkencave, dy të tilla, pranë Bulqizës u shënuan në mëngjes, në një distancë të shkurtër kohore mes tyre, vetëm 6 minuta. E para, në orën 08:04 kishte magnitudë 3.3 të shkallës Rihter, epiqendër 15 km në veri-lindje të Bulqizës. Raportohet se thellësia ishte 15 km.

Lëkundja e dytë kishte magnitudë 4.5 Rihter dhe u regjistrua në orën 08:10 minuta të mëngjesit. Epiqendra ishte 12 km në veri-lindje të Bulqizës, në thellësinë 14 km. Nuk raportohen dëme.

Në panik, banorët e fshatrave të njësive administrative Shupenzë e Gjoricë, dolën jashtë banesave. Në të njëjtën zonë, një tërmet i fuqishëm i 12 viteve më parë, i 2009-ës, iu shkaktoi dëme të konsiderueshme, duke shkatërruar shtëpi.

Sektori i Mbrojtjes dhe Emergjencave Civile në Drejtorinë e Shërbimeve Utilitare, Administrative dhe Komunitare në Bashkinë e Bulqizës, publikoi bilancin e dëmeve të shkaktuara nga tërmetet e paradites së sotme, me epiqendër në Bulqizë.

Sipas bilancit paraprak të dëmeve, deri në orën 11:00 janë raportuar si të dëmtuara 14 banesa.

Njoftimi i Bashkisë Bulqizë:

Në njësinë administrative Fushë Bulqizë janë dëmtuar 5 banesa, në njësinë administrative Ostren 3 banesa, në njësinë administrative Gjoricë 3 banesa, në njësinë administrative Shupenzë 1 banesë, në njësinë administrative Bulqizë 1 banesë dhe në njësinë administrative Zerqan 1 banesë. Në njësitë Martanesh dhe Trebisht nuk kanë raste të raportuara. Fatmirësisht nuk ka humbje jete të qytetarëve dhe dëmtime të rënda banesash ku të kërkohet evakuimi i banorëve.