Dëgjo live TOP ALBANIA RADIO
Dëgjo live TOP GOLD RADIO
Dëgjo live MY MUSIC RADIO
Voto në THE TOP LIST
Film & Tv

“The Death of Yugoslavia” një leksion historie nga protagonistët prodhuar nga BBC.

27 Prilli i 1992 mbahet si data e shpërbërjes së Jugosllavisë pas 3/4 e një shekulli, kohë jo pak të trazuara, por që mbajtën Serbinë, Kroacinë, Slloveninë, Malin e Zi, Bosnje Hercegovinën e Maqedoninë (tani Maqedonia e Veriut) të lidhura bashkë. Problemet filluan kur mbas vdekjes së Josip Broz Titos në 1980 diktatorit që e mbajti Jugosllavinë me dorë të hekurt pavarësisht konfkliteve etnike si edhe lëvizjeve të brendshme për pavarësi,  një vizitë në Kosovë do e kthente Sllobodan Millosheviç-in në njeriun që do të niste një prej luftërave më të përgjakshme në botë duke çuar eventualisht në shpërbërjen e Federatës dhe pavarësinë e vendeve të sipërpermenduara e rrjedhimisht Kosovës.

“The Death of Yugoslavia”, është një dokumentar i BBC për këtë, transmetuar për herë të parë në 1995 dhe fitues i çmimit BAFTA për Dokumentarin më të mirë faktik një vit më vonë. Gazetarët Allan Little dhe Laura Silber shoqëruan dokumentarin edhe me një libër në atë kohë. Mes pamjeve autentike dhe intervistave të kohës me Sllobodan Millosheviç, Radovan Karaxhixh, Franjo Tuxhman dhe Alija Izetbegoviç, mes të tjerëve dokumentari është një leksion i jashtëzakonshëm historie.

I quajtur Kasapi i ballkanit, Millosheviç dhe të tjerët rrëfejnë me detaje rrënqethëse atë që ndodhi prej vitit 1991 deri pak përpara konfliktit në Kosovë. Po aq tronditëse është mënyra se si komuniteti ndërkombëtar. Kombet e Bashkuara dhe NATO u përballën me situatën duke lënë të vriten barbarisht mijëra civilë, dhe dhjetra mijëra të tjerë të lënë shtëpitë e tyre. Pamjet e forta të reporterëve të luftës si edhe intervistat e të gjithë protagonistëve lënë pak vend për interpretim.

“The Death of Yugoslavia” nuk kursen askënd dhe edhe pse nuk ka konsistencën e duhur përgjatë gjashtë serive të tij është një vëzhgim i nevojshëm i atyre viteve të tmerrshme rrëfyere nga sytë dhe gojët e atyre që i jetuan.  Nisur edhe nga zhvillimet në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë të javëve të fundit po ua propozojmë edhe njëherë për të parë këtu të gjitha seritë.

1.          “Enter Nationalism”.

Në serinë e parë të dokumentarit flitet për atë që ndodhi menjëherë pas vdekjes së Titos. Millosheviçi do të merrte pushtetin duke u kthyer kundër shqiptarëve të Kosovës

2.         “The Road to War”.

Në Prill të 1990 Kroacia do të mbante zgjedhjet e para të lira parlamenare. Serbët e Kroacisë u ndjenë të kërcënuar nga rritja e toneve nacionaliste atje përmes presidentit të zgjedhur Franjo Tuxhman duke nisur të ashtuquajturin Revolucionin Log në Gusht të 1990. Në më pak se një vit, 19 Maj 1991 Kroacia do të mbante një referendum për pavarësi nga Jugosllavia, i cili mori votën e shumicës. Beteja e Vukovarit në Gusht të po atij viti ishte beteja e parë e luftës Kroate për Pavarësi.

3.         “Wars of Indipendence”.

Sllovenia dhe Kroacia shpallën pavarësinë e tyre dhe kërkuan njohje nga ndërkombëtarët. Por Beogradi (kryeqyteti Serb dhe Jugosllav) nuk e pranon këte duke e cilësuar këtë si fillimin e rënies së Jugosllavisë.

4.         “The Gates of Hell”.

Mbas përfundimit të luftës mes Serbisë dhe Kroacisë pas një marrëveshjeje paqeje, Serbia fillon mësymjen e saj në Bosnje Hercegovinë. Këtu fillon pjesa më e gjatë dhe më tragjike e konfliktit.

5.         “A Safe Area”.

Ndërsa situata në Bosnje përkeqësohet, konflikti i armatosur përshkallëzohet. Ka një përpjekje për të përfshirë Kombet e Bashkuara dhe NATO-n, të cilat arrijnë të ulin palët për një marrëveshje e cila nuk ka sukses. Vuajtja dhe persekutimi i muslimanëve Boshnjakë nga forcat Serbet tregohet në detaje sfilitëse.

6.         “Pax Americana”.

Kroacia nis Operation Storm për të marrë shumicën e territorit të pushtuar nga Serbët i quajtur tashmë Republika Serbian Krajina. Forcat serbo boshnjake shkaktojnë masakrat e Srebrenicës dhe Markales, mbas të cilave NATO fillon operacionin Deliberate Force duke bombarduar nga ajri forcat serbo-boshnjake dhe duke detyruar palët të ri-ulen në tavolinë. Me ndërhyrjen amerikane arrihet pakti Deyton i cili i jep fund luftës në Bosnje, edhe pse një tjetër do të niste me po të njëjtën egërsi, pak kohë më vonë, në Kosovë.