Aktualitet

Trafikonin emigrantë ilegalë drejt Malit të Zi, një në pranga dhe dy në kërkim në Shkodër!

U kap duke transportuar emigrantë të paligjshëm kundrejt pagesës për në Malin e Zi, një 42-vjeçar nga Lushnja u arrestua në Shkodër, ndërsa veprimtarinë nuk e kryente vetëm. Dy persona të dyshuar si bashkëpunëtorë të tij u shpallën në kërkim. Raportohet se  ata arritën t’i largoheshin uniformave blu duke përfituar nga errësira. 16 emigrantë të huaj që synojnë kalimin ilegal në njërin prej vendeve të Unionit zbritën nga tre makina në fshatin Vukpalaj. Dy personat në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Rrjeta”, gjithashtu janë nga Lushnja. Për veprime të mëtejshme, materialet i kaluan Prokurorisë Shkodër.

Njoftimi zyrtar i Policisë Shkodër:

Strukturat e DVKM Shkodër dhe ato të Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Shkodër, të mbështetura nga inteligjenca informative, për raste të transportimit të shtetasve të huaj, kundrejt përfitimeve ekonomike, për kalim të paligjshëm të kufirit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Rrjeta”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi D.S., 42 vjeç dhe u shpallën në kërkim shtetasit A.Gj., 48 vjeç dhe R.S., 30 vjeç, të tre banues në Lushnjë.

Në fshatin Vukpalaj, Kastrat, nga tre automjete kanë zbritur 16 emigrantë të cilët po transportoheshin drejt Malit të Zi, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit drejt vendeve të Bashkimit Europian. Sapo janë konstatuar nga shërbimet e Policisë, dy nga automjetet janë larguar me shpejtësi dhe drejtuesi i automjetit të tretë, ka braktisur makinën e duke përfituar nga kushtet e errësirës, ka mundur t’u shmanget shërbimeve.

Shërbimet e Policisë kanë organizuar menjëherë punën dhe në lagjen “Dobraç”, kanë bërë të mundur ndalimin e njërit prej automjeteve që transportonte emigrantë dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit D.S.

Vijon intensivisht puna, për kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve A.Gj dhe R.S. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.