Aktualitet

Tragjedi në plazhin e Vilë-Bashtovës, mbytet babai me dy fëmijët e mitur!

Tragjedi në bregdetin e Kavajës, mbytet babai dhe dy fëmijët e mitur të moshave 13 e 15-vjeç. Burri i moshës 50-vjeç identifikohet si shtetasi Elvis Halilaj. Ngjarja tronditëse ndodhi në orët e drekës, në atë që njihet si plazhi i Vilë-Bashtovës dhe për momentin nuk ka shumë informacione, pra ende duhet të hidhet dritë mbi rrethanat në të cilat humbën jetën të tre personat, pjesëtarë të së njëjtës familje.

Fillimisht, u tha se viktimat ishin pushues nga Kosova, por më vonë u saktësua se vinin nga Tirana e kishin udhëtuar nga kryeqyteti për të shfrytëzuar këtë ditë pushimi për plazh. Në njoftimin zyrtar bëhet e ditur:

Shërbimet e Njësisë Policore Detare kanë ndërhyrë për t’i shpëtuar, por të tre shtetasit kishin ndërruar jetë si pasojë e rrymave detare. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Ka raportime se deti ishte i trazuar dhe viktimat ishin duke notuar në thellësi. Ndërkaq, në zonë nuk ka vrojtues, por ishte vendosur një flamur i kuq që paralajmëron rrezik për të notuar.