Aktualitet

Plagosja me thikë në Kavajë, policia arreston autorin pas orësh në arrati!

Plagosja me thikë e një dite më parë në Kavajë, policia njofton arrestimin e autorit të dyshuar. Në pranga ra një 22-vjeçar, i identifikuar si shtetasi Armando Shtini, i akuzuar për goditjen e një 55-vjeçari, i cili u dërgua në spital ku ndodhet jashtë rreziku për jetën. Po ashtu, uniformat blu sekuestruan automjetin me të cilin u largua pas plagosjes, por arratia zgjati vetëm disa orë.

Njoftimi i policisë: 

Policia identifikon, kap dhe vë në pranga autorin e dyshuar të plagosjes së një 55-vjeçari, ditën e djeshme.
Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi hetimor, për identifikimin e autorit dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 17.02.2024, në lagjen nr. 5, Kavajë, ku u godit me mjet prerës (thikë), shtetasi I. K., 55 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, pas disa orë kontrollesh në zonë për kapjen e autorit, kanë lokalizuar, kapur dhe arrestuar shtetasin A. Sh., 22 vjeç, autor i dyshuar i plagosjes së 55-vjeçarit.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë, sekuestruan mjetin prerës (thikë) me të cilin dyshohet se ka kryer plagosjen, si dhe automjetin me të cilin 22-vjeçari u largua nga vendi i ngjarjes.

Në një tjetër zhvillim, një 41-vjeçar ra në prangat e policisë së Shkodrës, pasi akuzohet se tentoi të digjte me lëndë djegëse një automjet dhe fasadën e një supermarketi. Eshtë fjala për shtetasin Gjergj Dajani.

Tentoi të digjte me lëndë djegëse, një automjet dhe fasadën e një supermarketi, falë veprimeve të thelluara hetimore, identifikohet dhe arrestohet autori i dyshuar i këtyre rasteve. Vihet në pranga 41-vjeçari Gjergj Dajani.

Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore për zbardhjen e 2 rasteve të tentativës së shkatërrimit të pronës me zjarr, të ndodhura ditët e fundit, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar, shtetasit Gj.D., 41 vjeç, banues në fshatin Stajkë.

Ky shtetas dyshohet se më datë 15.02.2024, ka hedhur një shishe me lëndë djegëse në drejtim të fasadës së supermarketit me administrator shtetasin L.M., 41 vjeç, banues në Shkodër, pa shkaktuar dëme.

Gjithashtu, më datë 17.02.2024, ka hedhur një shishe me lëndë djegëse, në drejtim të automjetit tip “Benz”, në pronësi të shtetasit B. S., 49 vjeç, banues në fshatin Shelqet.