Aktualitet

Tentoi vrasjen e një personi me sëpatë, pranga autorit në Kavajë!

Sherr për motive të dobëta në një lokal në Kavajë, një 52-vjeçar tentoi të vrasë një 33-vjeçar. Ngjarja ndodhi në lokalin në pronësi të shtetasit Elton Dedej. Raportohet se Artur Petja goditi me sëpatë 33-vjeçarin I.GJ, banues në Kavajë, duke e lënë të plagosur.

Pas mjekimit në Spitalin Rajonal të Durrësit, i lënduari u dërgua për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa ende nuk ka informacione mbi gjendjen e tij shëndetësore. Krahas autorit të dyshuar, i akuzuar për “Vrasje me dashje të mbetur në tentativë”, në prangat e uniformave blu ra edhe pronari i lokalit, ky i fundit për prishje të vendngjarjes e dhënie deklarate të rreme. Gjithashtu, akuzohet edhe për aktivitetin e lojërave të fatit.

Autori ra në pranga për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë. Në pranga ra edhe pronari, pasi ka përkrahur 52-vjeçarin, duke prishur vendin e ngjarjes dhe duke dhënë deklaratë të rreme. Kur është marrë në pyetje, ai ka deklaruar se i plagosuri ishte rrëzuar nga shkallët. Ai akuzohet edhe për aktivitetin e lojërave të fatit.

Po ashtu ka nisur hetimi edhe për një klient në atë lokal, A.D., 31 vjeç, pasi në celularin e tij gjetur të hapura faqe që shërbejnë për lojëra fati.  Mjeti prerës (sëpatë), celulari i pronarit të dhe i shtetasit A.D. janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Në një tjetër zhvillim, një person u arrestua dhe dy të tjerë janë vënë në hetim në Patos e Lushnjë, me dyshimet për akte dhune.  Policia njofton se një 24-vjeçar u arrestua në Patos, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij. Ndaj shtetasit me iniciale J.T. rëndon vepra penale “Dhunë në familje”.

Ndërkohë, një 37-vjeçar u procedua penalisht, pasi ka kërcënuar me mjet prerës një shtetas tjetër. Nën hetim u vendos edhe një 64-vjeçar në Lushnjë, i dyshuar se për motive të dobëta ka goditur me sende të forta një person tjetër.

Dy persona nga Tirana u arrestuan në qytetin e Vlorës, pasi kishin armë pa leje në automjet. Ata u ndaluan për kontroll teksa po lëviznin me makinën e tyre  tip “Volkswagen” në rrugën “Murat Tërbaçi” me drejtues J.G. dhe pasagjer E.A., ku u konstatuan me një armë zjarri pistoletë me municion luftarak.

J.G., 27 vjeç dhe E.A., 45 vjeç, të dy banues në Tiranë, u arrestuan në kushtet e flagrancës, ku ky i fundit rezultoi me precedent penal. Arma e zjarrit dhe municioni luftarak, së bashku me automjetin dhe 2 celularë, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.