Aktualitet

Në kërkim nga Italia për trafik heroine, pranga 46-vjeçarit në Kavajë!

Në kërkim ndërkombëtar për trafik droge, një 46-vjeçar ra në prangat e policisë në Kavajë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Operacionalja 5”. Ai ka qenë pjesëtar i një grupi kriminal në Itali që trafikonte heroinë në vitet 2013-2018. Ndërkaq, u lokalizua në Kavajë ku u kap dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në vendin fqinj. Korrikun e kaluar, Gjykata e Katanzaros i caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pjesëmarrja në grup kriminal, me qëllim trafikimin e narkotikëve”. Gjatë operacionit ra në pranga Samuel Garuja. Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për të kryer ekstradimin e 46-vjeçarit.

Njoftimi zyrtar:

Pjesëtar i një grupi kriminal, në Itali, për trafikim të Heroinës, lokalizohet në Kavajë dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 46-vjeçari.

Në vijim të operacioneve policore për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilat zhvillohen në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit” dhe si rezultat i shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Operacionalja 5”.

Gjatë operacionit, u lokalizua në Kavajë, u kap dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar S. G., 46 vjeç. Gjykata e Katanzaros, Itali, më datë 04.07.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pjesëmarrja në grup kriminal, me qëllim trafikimin e narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë. Grupi kriminal ku merrte pjesë 46-vjeçari, dyshohet se gjatë periudhës 2013-2018, ka trafikuar drejt Italisë, sasi të konsiderueshme të lëndëve narkotike, kryesisht Heroinë”, sipas njoftimit të policisë.

Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për të kryer ekstradimin e 46-vjeçarit.

Në një tjetër zhvillim, një 41 vjeçar shqiptar, i kërkuar prej 6 vitesh nga policia, ka rënë në pranga në Selanik të Greqisë. Burime bëjnë me dije se shqiptari i arrestuar, kërkohej me urdhër të Prokurorisë në Selanik prej vitit 2018 për trafik droge. Gjatë kontrollit të banesës së tij, policia greke gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri bashkë me 15 fishekë. Dokumentacioni në ngarkim të tij i kaloi Prokurorisë për hetime të mëtejshme.