Bota

Tragjedia e Marmoladës në Itali, 7 viktima e 15 të zhdukur/Vijon operacioni i kërkim shpëtimit!

Në Itali vazhdojnë operacionet e kërkim shpëtimit për 15 persona që ende rezultojnë të zhdukur nga rrëzimi i një mase të madhe akulli, nga një faqe mali. Bilanci ende paraprak flet për 7 viktima e 8 të plagosur. Për të humburit e tragjedisë së Marmoladës, vijon nga dje pasdite puna në terren, duke u përqëndruar në kontrolle të imtësishme me dronë e kamera termike.

Turistët, italianë e të huaj po ngjiteshin për në majën më të lartë të Dolomiteve, në momentin e shkëputjes së masivit prej akulli që rezultoi fatal. Mes të zhdukurve ka edhe shtetas gjermanë, çekë e rumunë.

Papa Françesku reagoi për tragjedinë dhe deklaroi se lutet për viktimat e po ashtu për familjet e tyre. Në një postim në Twitter, Ati i Shenjtë shkruan:

Tragjeditë që po përjetojmë si rezultat i ndryshimeve të klimës, duhet të na shtyjnë të kërkojmë me urgjencë rrugë më të respektueshme të njeriut ndaj natyrës.