Bota

Tragjedia në Itali, 62 viktima nga fundosja e varkës me emigrantë/Roma zyrtare: Të bllokohen trafikantët!

Rëndohet bilanci i viktimave të tragjedisë në brigjet italiane ku u fundos një varkë e vogël me 180 deri 250 emigrantë në bord, por shifra ende nuk është e saktë. Ndërsa vazhdojnë operacionet e kërkimit, paraprakisht flitet për 62 viktima e 80 të mbijetuar, në Crotone. Autoritetet druhen për më shumë se 100 viktima në Kalabri nga udhëtimi i vdekjes në det të trazuar. Mes atyre që humbën jetën ka shumë gra e fëmijë, madje edhe një i porsalindur. 21 vetë u dërguan në spital, një në gjendje të rëndë.

Mediat italiane thonë se ata që mbijetuan qajnë pa folur, të përfshirë nga dhimbja e tmerrshme dhe heshtja. Një grua e dëmtuar në pjesën e hundës thërret e dëshpëruar emrin e të birit që nuk gjen më. Në një det me dallgë, varka e nisur nga Izmiri i Turqisë u nda në dy pjesë. Personat në bord vinin nga Iraku, Irani, Afganistani e Siria. Në përgjithësi, emigrantët ndjekin rrugën turke për t’u hedhur në një vend të BE-së.

Policia italiane ka ndaluar tre skafistë turq. Dyshohet se ata hodhën njerëz në det për të ulur mbingarkesën e mjetit lundrues.

Ndërsa shprehu dhimbje të thellë për jetët e humbura, kryeministrja Giorgia Meloni foli për iluzionin e një emigracioni pa rregulla.

Qeveria është e angazhuar të pengojë nisje të tilla e me to, të shmangë tragjeditë e këtij lloji. Duhet bashkëpunim i plotë nga vendet e origjinës së emigrantëve dhe të nisjes.

Politikani i të djathtës, Matteo Salvini apeloi për bllokimin e trafikantëve ndërsa presidenti Mattarella kërkoi angazhimin e fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar për t’i dhënë fund shkaqeve të vërteta të fluksit të emigrantëve. Me këtë kishte parasysh luftërat, persekutimin, terrorizmin, varfërinë, ndryshimet e klimës.

Bashkimi Europian të marrë përgjegjësi konkrete për të frenuar fenomenin e emigracionit, duke ia hequr trafikantëve të qenieve njerëzore. BE-ja të angazhohet siç duhet në politikat e emigracionit.

Shefja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen është plotësisht dakord dhe ndan të njëjtën linjë qëndrimi me kryetarin e shtetit italian.

Të gjithë bashkë duhet të dyfishojmë përpjekjet tona për Paktin mbi Emigracionin, si edhe azilin. Po ashtu, për Planin e Veprimit në Mesdheun Qendror.