Aktualitet

Turqia rrëzon Shqipërinë, gjykata liron nga qelia Ibrahim Licin pak javë pas arrestimit!

Ibrahim Lici, i dyshuari kryesor për vrasjen e Endri Mustafës në Shkodër, ka fituar lirinë nga autoritetet turke pas gati 1 muaj e gjysmë qëndrimi në qeli.

Gjykata turke ka vendosur lirimin nga qelia të Ibrahim Licit dhe masën shtrënguese ndaj tij për të mos dalë nga territori turk deri në përfundim të hetimeve ndaj tij.

Ai u arrestua më 15 shkurt në një lagje të Stambollit pas shkëmbimit të informacionit mes policisë shqiptare dhe asaj turke.

“Policia turke ka finalizuar operacionin policor të koduar “Jehona”, gjatë të cilit është kapur dhe vënë në pranga 31-vjeçari Ibrahim Lici. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, në vitin 2021, i ka caktuar Licit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armeve shpërthyese dhe municionit”, pasi më datë 15.05.2021, dyshohet ka vrarë me armë zjarri pistoletë, shtetasin Endri Mustafa”, – njoftoi Interpoli shqiptar para pak javësh.

Në momentin e arrestimit Licit iu sekuestrua edhe një armë zjarri si edhe dokumente të falsifikuara belge. Por, pavarësisht këtyre dy veprave penale të kryera në Turqi dhe veprave të rënda penale për të cilat dyshohet në Shqipëri, për të cilat autoritetet shqiptare kanë përcjellë drejt Turqisë një dosje voluminoze me qëllim ekstradimin e tij drejt vendin tonë, ai sërish është lënë i lirë.

Ibrahim Lici është një nga më të kërkuarit e policisë shqiptare, i cili akuzohet për një mori vrasjesh përmes atentateve në Shkodër.

I biri i drejtuesit të fisit Lici, Ibrahimi, akuzohet për vrasjen e Endri Mustafës, ngjarje e ndodhur në maj të vitit 2021, në lagjen Guerrile, Shkodër.

Ai akuzohet edhe për vrasjen e vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilalin, ngjarje e ndodhur në mars të vitit 2019 në lagjen “Kiras”.

Arsen Stojku dhe Mislim Rama janë arrestuar si bashkëpunëtorët e Ibrahim Licit, ndërsa ai vetë është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Astrit Bilali është babai i Astmer Bilali, i arrestuar si pjesë e grupit “Bajri” në Shkodër.

Ndërkohë, i ati i Licit, nëpërmjet disa daljeve mediatike vite më parë, ka mohuar përfshirjen e të birit në vrasjen e Endri Mustafës.

Endri Mustafa 32 vjeç u gjet i vrarë më 17 maj 2021 në zonën e livadheve në Shkodër. 32-vjeçari kishte dalë nga shtëpia mbrëmjen e 15 majit 2021 pas një mesazhi në celular.

Dyshohet se ai ishte nxjerrë në pritë. Dy ditë më vonë, policia gjeti trupin e pajetë të 32-vjeçarit rreth 1.9 kilometra larg shtëpisë, në zonën e quajtur livadhet.

Adoleshenti Ergys Malja është dënuar me 10 vite burgim si personi që nxorri në pritë 32-vjeçarin Endri Mustafa.