Aktualitet

U kap me mbi 100 kg drogë më policin grek, shqiptari: Mendoja se merrja pjesë në operacion policor!

Lihen në qeli shqiptari Arben Murto dhe polici grek, Kostantinos Nakos, të cilët u kapën duke transportuar mbi 100 kg kanabis me makinën e policisë në Igumenicë. Ata dolën para Gjykatës së Thesprotisë ku u njohën me masën e sigurisë “Arrest me burg”. Për një tjetër efektiv grek, Dimitrio Oikonomou u vendos “Detyrim për t’u paraqitur dy herë në muaj”, si dhe “Garanci pasurore 8000 euro” e “Ndalim daljeje jashtë vendit”.

Në gjykatë, 41-vjeçari Murto nga fshati Shalës i Konipolit, u shpreh se besonte se po merrte pjesë në një operacion zyrtar të policisë. Siç raporton Top Channel, Murto tha se me Konstantino Nakon kishte bashkëpunim nga e kaluara kur sipas tij, “janë identifikuar sasi të mëdha droge e trafikantë të lëndëve narkotike”. Murto theksoi se besonte se të premten e kaluar, po merrte pjesë në një operacion të ligjshëm policor për lokalizimin dhe sekuestrimin e sasisë së drogës.

Bima narkotike, u kap në automjetin e Sektorit të Antidrogës së Igumenicës, që drejtohej nga oficeri 41-vjeçar Kostantinos Nakos dhe me pasagjer biznesmenin Arben Murto. Ata nuk iu bindën urdhrit të policisë për të ndaluar, por u kapën pasi u përplasën me tre automjete të parkuara. Bashkë me ta u arrestua dhe oficeri Dimitrio Oikonomou, 50 vjeç, pasi në momentin e kapjes së mjetit me drogë, ai duhet të ishte në shërbim bashkë me kolegun Nakos, por u gjet në një lokal në Sajadhë, pranë kufirit me Shqipërinë.

Në seancën gjyqësore të një dite më parë dhe që zgjati deri pasdite vonë, Arben Murto bëri deklaratën se besonte se po merrte pjesë në një operacion zyrtar të policisë, si dhe pretendoi se me Konstantino Nakon ka patur një sërë bashkëpunimesh në luftën kundër trafikut të drogës.

Ndërkaq, Nakos tha se prej kohësh, ai është përdorues kokaine e shtoi se pikërisht kjo varësi e çoi në transportin e veçantë të një sasie të madhe kanabisi. Bazuar në të njëjtat informacione, ai ka kërkuar ekspertizë për të vërtetuar përdorimin e kokainës siç edhe pretendon.

Sa i përket oficerit tjetër, Dimitrio Oikonomou, ai pretendoi se nuk dinte gjë për veprimet e kolegut. Për natën që ndanë një shërbim, i tha se do të largohej për pak kohë për një punë personale. Po ashtu, nuk dyshoi për ndonjë gjë të çuditshme dhe kjo ka qenë arsyeja që siç bëri të ditur, la edhe armën e shërbimit brenda automjetit. Madje pretendoi se Nakos u largua nga lokali pas një debati verbal me klientë të tjerë.