Aktualitet

U shpallën të humbur, gjenden të pajetë trupat e inxhinierit dhe dy punëtorëve në Dibër

Gjenden trupat e pajetë të inxhinierit dhe 2 minatorëve në Minierën Balgjaj, në Selishtë të Dibrës, të cilët nga dje kishin humbur kontaktet me familjarët. Ishte grupi i avari-shpëtimit që rreth orës 3 të mëngjesit të sotëm finalizoi operacionin për nxjerrjen e viktimave nga thellësia e minierës.

Dyshohet se asfiksia nga gazrat e nëntokës ishte shkaku i vdekjes së inxhinierit Ismail Hoxha 64-vjeç, si dhe punëtorëve Fatos Çesku 55 e Ruzhdi Rushiti 33-vjeç. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi i plotë i policisë:

Në vijim të informacionit të dhënë, ku tre shtetas që punonin në minierën e “Balgjaj”, Selishtë, kishin humbur kontaktet me familjen, ju informojmë se rreth orës 03:00 datë 29.10 2020 në thellësi të minierës në Selishtë, nga ana e grupit avari- shpëtimit, u gjetën trupat e pajetë të shtetasve, I. H., 64 vjeç, banues në Peshkopi,
F. Ç., 55 vjeç, banues në Bulqizë dhe R. R., 33 vjeç, banues në Bulqizë.

Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se kanë humbur jetën si pasojë e asfiksisë nga gazrat e minierës.

Vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.