Aktualitet Travel

UNWTO: Shqipëria e treta në renditjen botërore të turizmit!

Shqipëria, e treta në botë në renditjen e Barometrit Botëror të Turizmit të UNWTO, që monitoron tendencat afatshkurtra të turizmit për t’u ofruar palëve të interesuara globale, analiza të përditësuara mbi turizmin ndërkombëtar. Në periudhën janar-korrik 2023, me 56% rritje, vendi ynë pason Katarin, i pari me 95% dhe Arabinë Saudite me 59% rritje.

Shqipëria renditet e para në Europë duke lënë pas destinacione të njohura si Greqia, Italia, Spanja, Kroacia apo Franca. Raporti publikohet katër herë në vit dhe përfshin një analizë të të dhënave më të fundit mbi destinacionet turistike e tregjet burimore.

Barometri përfshin edhe një Indeks Besimi bazuar në anketën e Panelit të Ekspertëve të Turizmit të UNWTO, i cili ofron vlerësim të performancës së fundit e perspektivave afatshkurtra në turizmin ndërkombëtar.

Turizmi ndërkombëtar rikuperoi 84% të niveleve para pandemisë në periudhën janar-korrik 2023 (-16% kundrejt 2019-ës) pas një tremujori të dytë të fortë e pjesës së hershme të sezonit veror të Hemisferës Veriore.

Kërkesa për udhëtime vazhdoi të tregojë elasticitet të jashtëzakonshëm dhe rimëkëmbje të qëndrueshme, mes sfidave ekonomike e gjeopolitike. Pas nivelit 80% në tremujorin e parë të vitit, ardhjet ndërkombëtare të turistëve arritën 85% të atyre para pandemisë në tremujorin e dytë 2023 dhe 90% në korrik.

Rreth 700 milion turistë udhëtuan ndërkombëtarisht midis janarit dhe korrikut 2023, rreth 43% më shumë se në të njëjtët muaj të vitit të kaluar, megjithëse 16% më pak se më 2019-ën.

Sipas rajoneve, Lindja e Mesme pa rezultatet më të mira në janar-korrik 2023, me ardhjet që kaluan me 20% nivelet e para pandemisë.

Europa, rajoni më i madh i destinacionit në botë, arriti 91% të niveleve para pandemisë, mbështetur nga kërkesa e fuqishme.

Afrika rikuperoi 92% të vizitorëve të para krizës këtë periudhë shtatëmujore dhe Amerika 87%. Në Azi e Paqësor, mbërritjet u ngjitën në 61% të niveleve para pandemisë. Sipas nënrajoneve, Afrika e Veriut (+8%), Amerika Qendrore (+2%) dhe Europa Mesdhetare Jugore, (+1%) tejkaluan nivelet para pandemisë në janar-korrik 2023.

Këto rezultate tregojnë se turizmi ndërkombëtar është në rrugën e duhur për të arritur këtë vit, 80 deri në 95% të niveleve të para pandemisë, siç parashikohet nga UNWTO në Barometrin Botëror të Turizmit.

Perspektivat për shtator-dhjetor 2023 tregojnë për rimëkëmbje të vazhdueshme, sipas Indeksit më të fundit të Besimit të UNWTO, megjithëse me ritëm më të moderuar pas sezonit të pikut të udhëtimeve qershor-gusht.

Mjedisi sfidues ekonomik mund të rëndojë në modelet e shpenzimeve gjatë pjesës së mbetur të vitit, me turistët që kërkojnë gjithnjë e më shumë vlerën për paranë, duke udhëtuar më afër shtëpisë dhe duke bërë udhëtime më të shkurtra.