Rajoni

Ushtarë serbë pranë kufirit me Kosovën, kryeministri Kurti publikon pamjet!

Kryeministri Albin Kurti ka publikuar një video në Facebook, duke theksuar se njësi të specializuara të ushtrisë serbe janë vërejtur disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banjskë të Zubin Potokut.

Kurti shprehet se ky veprim vjen pasi presidenti serb Aleksander Vuçiç, publikisht ka kërcënuar Kosovën. Shefi i qeverisë së Prishtinës shtoi se Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta, teksa nënvizon se po i përdorin si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën.

Njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut. Lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën. Jemi të vetëdijshëm se Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën. Jemi duke vëzhguar me kujdes se a do të përpiqen ta kalojnë kufirin, gjersa edhe ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal.

Në një tjetër zhvillim, sot është afati i fundit kur Kosova dhe Serbia duhet të dërgojnë propozimet rreth një zgjidhjeje sa i përket përdorimit të dinarit serb në Kosovë. Analistët shprehen skeptikë se do të ketë dakordësi me Serbinë teksa opozita kritikon ekzekutivin për rregulloren e BQK-së.

Diskutimet për dinarin serb që u bënë të martën e 19 marsit në Bruksel, nuk përfunduan me ndonjë zgjidhje. Por, Kosova dhe Serbia ranë dakord që deri sot t’i dërgojnë propozimet e tyre në adresë të Bashkimit Europian.

Nga qeveria e Kosovës nuk kanë treguar se çfarë do të përmbajë propozimi  i tyre, ndonëse gjetja e një zgjidhjeje të pranueshme po shihet me skepticizëm nga njohës të çështjeve politike. Nga opozita thonë se ekzekutivi nuk do të duhej të merrej me çështjen e dinarit, por me tema të tjera më të rëndësishme për vendin.

Zv.kryeministri Bislimi pati njoftuar se pasi të dërgojnë propozimet, ata do të mblidhen sërish gjatë javës së ardhshme për të gjetur një zgjidhje mbi përdorimin e dinarit, pa shkelur rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës.