Aktualitet

Vaksina kundër koronavirusit mund të merret në të njëjtën kohë me të gripit!

Qytetarët mund të vaksinohen njëherazi kundër COVID-19/ës dhe gripit stinor. Këtë e bën të ditur Instituti i Shëndetit Publik ndërsa ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ndau sot një video, ku ekspertja Iria Preza informon qytetarët mbi procesin e vaksinimit. Sipas saj, qytetarët mund të vaksinohen kundër COVID-19 dhe gripit stinor në një ditë ose në ditë të ndryshme, pa pasur afate kohore pritje nga njëra vaksinë te tjetra.

Po ashtu, Instituti i Shëndetit Publik thekson:

Personat që dyshojnë se janë me COVID-19 në bazë të shenjave klinike apo që janë në pritje të përgjigjes së një tamponi, nuk rekomandohet të vaksinohen menjëherë me vaksinën ndaj COVID-19. Ata mund të vaksinohen me vaksinën ndaj COVID-19 sapo të përjashtohet diagnoza e koronavirusit.

Ndërkaq, tani ka një shqetësim për variantin Omicron të COVID-it, që paraqet simptoma të lehta dhe është më ngjitës se variantet tjera, përfshirë Deltën, por shkencëtarët vazhdojnë punën për të kuptuar nëse i shmanget apo jo mbrojtjes nga vaksinat. Deri tani, në vendin tonë nuk është konfirmuar asnjë rast me Omicron, ndërsa në mbledhjen më të fundit të Komitetit Teknik të Ekspertëve, më 2 dhjetor u rekomandua ndalimi i hyrjes së shtetasve të huaj me histori të udhëtimit 14 ditët e fundit nga Afrika e Jugut e Kenia, Angola, Botsvana, Senegal, Zambia, për tre javë.

Deri më 31 dhjetor, të gjithë punonjësit e administratës publike, supermarketeve e të qendrave tregtare, duhet të vaksinohen! Më 4 janar do të kërkohet certifikata e vaksinimit ose test anti-COVID, çdo 5 ditë. Ora policore e masat e tjera, nuk ndryshojnë.