Bota

Vala e re e sulmeve ruse në Ukrainë, të vrarë dhe të plagosur!

Disa persona janë vrarë dhe plagosur ditën e sotme, si pasojë e valës së re të sulmeve ruse me raketa në qytetet ukrainase, përfshirë kryeqytetin Kiev. Raportohet edhe se sistemet e alarmeve janë aktivizuar në të gjithë territorin e Ukrainës.

Në Kiev, të paktën një grua mbeti e vrarë dhe nëntë persona të tjerë u plagosën, siç njoftoi kryebashkiaku Vitali Klitschko në platformën Telegram.

Tri distrikte që janë Peçerks, Sviatoshinsk e Solomjansk u shënjestruan në sulm, vuri në dukje Klitschko. Tetë persona u dërguan në spital.

Në Harkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, raketat ruse Kh-22 goditën shënjestra civile. Njoftimin e dha guvernatori rajonal Oleh Synyehubov, duke reaguar po ashtu në Telegram.

Si rezultat i sulmeve, 28 persona janë plagosur. Dy gra, të moshave 40 dhe 56-vjeçe, fatkeqësisht u vranë.

Synyehubov publikoi pamje të ndërtesave krejtësisht të shkatërruara. Raketat ruse kanë goditur edhe qytetin Pavlohrad, në rajonin jugor të Dnjipropetrovskut, duke lënë të vrarë të paktën një person.

Në javët e fundit, Rusia i ka intensifikuar sulmet me raketa kundër shënjestrave civile në Ukrainë, duke shkaktuar një mori vdekjesh, plagosjesh e gjithashtu dëmesh materiale. Qyteti i Harkivit është goditur në veçanti.

Sipas zyrtarëve ukrainas, vetëm në periudhën e shkurtër 29 dhjetor 2023 deri më 2 janar 2024, Rusia ka hedhur më shumë se 500 dronë të prodhuar prej Iranit në qytetet ukrainase.

Kjo valë sulmesh ka rritur presionin në kapacitetet ajrore për mbrojtjen e Ukrainës, si dhe rezervat e municioneve. Kjo ka bërë që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky të shtojë thirrjet ndaj aleatëve që të ndihmojnë Kievin zyrtar.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022, pra rreth dy vjet më parë. Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi i është përgjigjur Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftimeve, deri tani kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.