Rajoni

Veteranët e UÇK-së hedhin telefona drejt zyrave të EULEX-it!

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) protestoi para ndërtesës së EULEX-it duke e kritikuar këtë institucion dhe Gjykatën Speciale të Kosovës për shqetësim të familjeve të veteranëve.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. Gjykata e ka selinë në Hagë, por funksionon sipas ligjeve të Kosovës.

Faton Klinaku nga OVL e UÇK-së, kërkoi reagim të autoriteteve të Kosovës, duke pretenduar se Gjykata Speciale dhe EULEX-i po iu shfaqen pa paralajmërim veteranëve.

Jeni dëshmitarë që Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë dhe EULEX-i janë duke i shqetësuar familjet e bashkëluftëtarëve tanë e të dëshmorëve, duke dërguar pa paralajmërim njerëz të panjohur e me kapele në kokë për pseudo intervistime duke i bastisur e duke ua konfiskuar telefonat personalë.

Dy ditë më parë, ish-pjesëtari i UÇK-së, Rrustem Mustafa, njoftoi se hetuesit e Gjykatës Speciale iu paraqitën në shtëpi me kërkesë për kontroll të telefonit.

Personeli nga Gjykata Speciale janë sjellë me respekt. Në zyre të EULEX-it më është sekuestruar telefoni im dhe posa është bërë kjo kontroll pa asnjë interesim shtesë nga ana e tyre, ka përfunduar biseda.

Gjykata Speciale nuk është deklaruar rreth këtij rasti. Në shenjë proteste ndaj një urdhri të tillë, protestuesit hodhën disa telefona drejt ndërtesës së EULEX-it.

Duke pasur parasysh se Policia e Kosovës është reaguesja e parë, kërkojmë që shteti të merret seriozisht dhe të mos lejojnë që persona civilë, pa Policinë, të na hyjnë në shtëpi se përndryshe do të ketë reagime të vazhdueshme qytetare.

Gjykata Speciale dënoi dy pjesëtarë të OVL-së së UÇK-së, Nasim Haradinaj e Hysni Gucati në maj të vitit 2022, për pengim të administrimit të drejtësisë.

Ata u dënuan me nga 4 vjet e tre muaj burg. Aktualisht në Hagë është duke u zhvilluar gjyqi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të akuzuar për krime lufte dhe kundër njerëzimit.