Aktualitet

Veting në polici vetëm për shefat, në ‘sitë’ drejtuesit e lartë e madhorë, do ndërpritet për gradat e ulëta!

Procesi i vetingut në Policinë e Shtetit dhe Gardën e Republikës mund të ndërpritet zyrtarisht për gradat e ulëta, deri tani të përfshira. Po shihet mundësia që të vetohen vetëm ata që fitojnë gradat e larta, drejtues i lartë dhe drejtues madhor.

Vendimi nuk është marrë ende zyrtarisht, megjithatë, për shkak të ngërçeve dhe vonesave, po shkohet drejt një propozimi të tillë.

Që nga 21 nëntori 2019, moment kur Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit dha vendimin e parë të vetingut në Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës dhe SHÇBA, vetëm 57 vendime janë firmosur zyrtarisht. Procesi hasi pengesa të shumta, ndërsa në jo pak raste u kritikua jo vetëm nga politika shqiptare, por edhe nga ndërkombëtarët, të cilët këshilluan ndërprerjen e tij.

Me ardhjen në detyrë të ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, bashkë me një grup deputetësh u vendos ndërprerja e këtij procesi në Polici dhe Gardë dhe përqendrimi vetëm tek SHÇBA-ja, e cila do të vijonte më tej procesin e veting-ut për dy institucionet e tjera.

Ndërprerja erdhi edhe pas rekomandimeve të GRECO, një organizëm që funksionon pranë Këshillit të Evropës. Edhe pas ndërprerjes në pranverë 2021 të kontrolleve në Polici dhe Gardë dhe përqendrimit tek SHÇBA, sërish procesi ka lëvizur me ritme shumë të ulëta dhe parashikohet që 42 subjektet ta përfundojnë deri në fund të vitit 2022.