Aktualitet

Vizita në Tiranë e ish-presidentit Clinton, njihuni me rrugët që bllokohen sot dhe nesër!

Vizita në Tiranë e ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, Policia e Shtetit merr masa për sigurinë, duke nisur nga Aeroporti i Rinasit. Drejtuesit e automjeteve duhet të shfrytëzojnë rrugën dytësore nga Vora, për të qarkulluar drejt Rinasit. Nga ora 14:00 deri më 15:30, sot bllokohen rrugët Rinas-Qafa e Kasharit-Mbikalimi te Casa Italia, nënkalimi te ish-sheshi “Shqiponja”. Të njëjtat bllokohen dhe nesër në orarin 13:30-15:30.

Të tjera rrugë që do të bllokohen në kuadër të vizitës së ish-presidentit amerikan Clinton janë Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi i Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe “Ismail Qemali”, “Papa Gjon Pali II”, “Ibrahim Rugova” e “Ukraina e Lirë”. Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për masat e datave 3 dhe 4 korrik.

NJOFTIMI I POLICISE

Në kuadër të vizitës në Shqipëri, të ish-presidentit të SHBA-së, z. Bill Klinton, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ka marrë një sërë masash të detajuara për sigurinë e z. Klinton, duke filluar nga aeroporti i Rinasit, shoqërimi drejt Tiranës në vendet ku do të zhvillohen takimet, akomodimi dhe shoqërimi drejt Rinasit, në përfundim të vizitës.

Një nga masat e planit të detajuar konsiston në sigurimin e rrugëkalimit të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Bill Klinton, i cili do të zhvillojë takime në datat 3 dhe 4 korrik 2023, në qytetin e Tiranës.

Në këtë kuadër, Policia e Shtetit njofton qytetarët se do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve të tjera, në varësi të takimeve dhe aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë këtyre dy ditëve, në Tiranë.

Drejtuesit e automjeteve të shfrytëzojnë rrugën dytësore nga Vora, për të qarkulluar në drejtim të aeroportit të Rinasit, pasi më datë 03.07.2023, nga ora 14:00 deri në orën 15:30, do të jetë të bllokuara rrugët:

Nga Rinasi – Qafa e Kasharit – Mbikalimi tek Casa Italia – nënkalimi te ish-sheshi “Shqiponja”.

Gjithashtu, këto rrugë do të jenë të bllokuara edhe më datë 04.07.2023, nga ora 13:30 deri në orën 15:30.

Rrugë të tjera që do të bllokohen janë:

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi i Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, rruga “Papa Gjon Pali II”, rruga “Ibrahim Rugova” dhe rruga “Ukraina e Lirë”.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për masat që ka ndërrmarrë dhe do të zbatojë gjatë datave 3 dhe 4 korrik.