Aktualitet

Vodhi 172 litra naftë në Vorë, arrestohet bashkë me blerësin!

Vodhi sasi të konsiderueshme nafte nga ekskavatori, në një kantier ndërtimi, pranga një 35-vjeçari në Vorë e bashkë me të u arrestua edhe personi që ia bleu sasinë e grabitur prej 172 litrash. Prangosja e blerësit dhe shitësit të akuzuar për vjedhje e përvetësim mallrash që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale, u bë në kuadër të operacionit policor të koduar “Fuel”.

Njoftimi zyrtar i Policisë:

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Vorë, operacioni policor i koduar “Fuel”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes.  Vodhi sasi të konsiderueshme nafte nga ekskavatori, në një kantier ndërtimi, vihet në pranga 35-vjeçari. Në pranga dhe një shtetas tjetër që përvetësoi naftën e vjedhur.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vorë, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Fuel”. Si rezultat i operacionit u vunë në pranga shtetasit:

– J. S., 35 vjeç, banues në Vorë, për veprën penale “Vjedhja”; – P. K., 31 vjeç, banues në Vorë, për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi J. S., ka vjedhur rreth 172 litra karburant, nga ekskavatori i një firme ndërtimi dhe më pas ia ka shitur shtetasit P. K., i cili ishte në dijeni që karburanti që kishte blerë, ishte i vjedhur. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Duket se shtrenjtimi i naftës në tregun vendas, edhe si reflektim i ndryshimit të çmimeve në atë botëror, po ndikon në shtimin e rasteve të ngjashme. Pak ditë më parë, dy punonjës u arrestuan për grabitjen e 250 litrave karburant, nga vendi ku punonin. Me vendimin më të fundit të Bordit të Transparencës, të dy ditëve më parë, litri i naftës kushton 240 lekë, i benzinës 233 dhe i gazit, 81 lekë.