Aktualitet Rajoni

Vrasja e 21-vjeçares në Ferizaj/ Albin Kurti: Drejtësia të veprojë pa vonesa!

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar për ngjarjen e rëndë sot në Ferizaj ku mbeti e vrarë një grua në Qendrën për Punë Sociale. Ajo dyshohet se u vra nga ish-burri i saj, ndërsa u plagos edhe vëllai i saj i mitur.

Kurti tha se e dënon një krim që po përsëritet dhe ka kërkuar që drejtësia të veprojë pa vonesa.

“Nuk kemi pse presim që t’i dimë detajet: e dënojmë ashpër këtë krim që po përsëritet. Edhe një grua e vrarë mizorisht nga tyta e armës që ekzekuton nga afërsia. Një grua e Kosovës e vrarë nga një vrasës burrë. Zemërimi dhe neveria bëjnë garë përbrenda secilit qytetar të Kosovës sot.

Qytetarja e shtetit tonë të pavarur në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj u qëllua për vdekje. Ngushëllime familjes, të afërmve dhe miqve të saj. Drejtësia të veprojë pa vonesa duke e pranuar që efekti i deritanishëm i ka ngelur i mangët e përgjegjësia i mbetet përherë e lartë”, shkroi ai.

Një ngjarje e rëndë u regjistrua dje në Ferizaj ku nga disa të shtëna me armë zjarri ka mbetur e vdekur një vajzë 21 vjeçare dhe është plagosur i vëllai i saj, 15 vjeçar.

Ngjarja ndodhi në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj.

Fillimisht i dyshuari pasi ka shtënë me armë zjarri është larguar në drejtim të panjohur. Më pas ekipe të policisë menjëherë kanë rrethuar zonën dhe në orën 15:15 kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin e kësaj ngjarje.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka thënë se ish-bashkëshorti V.A, 36-vjeçar, është i dyshuari kryesor. Kryeprokurori në Ferizaj, Shukri Jashari, tha se shkak dyshohet një mosmarrëveshje.

“Për momentin nuk kemi informacione, mirëpo dyshojmë që motivi është te një mosmarrëveshje mes ish-bashkëshortëve. Ata janë takuar afër Qendrës për Punë Sociale dhe aty ka ndodhur rasti. Personi (ish-bashkëshorti) është arrestuar”, deklaroi ai.

Hetuesit janë në vendin e ngjarjes duke ekzaminuar ndërsa për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit.

Burimet nga Emergjenca kanë bërë më dije se viktima është Erona Cokli, 21-vjeçare.

Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se pavarësisht angazhimit të institucioneve, “gratë ende nuk janë të sigurta”.

“Raste si këto na obligojnë që të vazhdojmë punën dhe angazhimin në adresimin e fenomeneve si dhuna me bazë gjinore dhe femicidi. Të gjitha institucionet përgjegjëse duhet të jenë të pakompromis në adresimin e këtyre rasteve”, shkroi Haxhiu në llogarinë e saj në rrjetin social Facebook.