Aktualitet

Vrasja e vëllezërve Haxhia, i penduari i drejtësisë në GJKKO: I qëlloi me armë Nuredin Dumani

Në Gjykatën e Posaçme ka vijuar sërish seanca për dëshminë e të penduarit të drejtësisë, Klevis Alla për vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia. Klevis Alla ka treguar se ditën e ngjarjes është takuar me Nuredin Dumanin, i cili në kokë mbante një kapuç si ato të policisë. Bashkë me Nuredinin ishte edhe një person pa kapuç, por nuk e njihte.

Po ashtu Alla ka treguar se ka telefonuar Besmir Haxhinë për t’u takuar. Sipas të penduarit Besmir Haxhia ishte tek dyqani i agjencisë dhe s’ka vonuar shumë dhe ka shkuar tek tregu i Shënvlashit. Sipas të penduarit asnjë nuk ishte në dijeni që Besmiri ishte me vëllanë e tij Viktorin.

Sapo makina “Golf 6” është afruar, Klevis Alla ka treguar se Nuredin Dumani ka ulur xhamin e makinës dhe ka qëlluar e ndërsa ekzekutori tjetër ka qëlluar me xham të mbyllur. Pasi ka qëlluar mbi dy vëllezërit, Klevis Alla ka treguar se Nuredini ka zbritur nga makina dhe i është afruar vëllezërve ku ka qëlluar sërish mbi ta.

Pas këtij veprimi ata kanë lëvizur drejt varrezave ku Nuredini dhe personi tjetër kanë zbritur dhe kanë marrë rrugën drejt Tiranës. Ndërsa Alla e ka braktisur makinën tip “Benz” disa metra poshtë varrezave aty ku ka hedhur edhe armët e zjarrit. Më pas të nesërmen, thotë Alla “kam dalë për të pirë kafe me një shok dhe pastaj kam shkuar tek makina e braktisur dhe e kam lëvizur pak më poshtë pasi në zonë po lëvizin disa policë”.

Vrasja e dy vëllezërve po gjykohet në një dosje të vetme bashkë me ekzekutimin e dy personave të tjerë, Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia. Pas atentatit të dy vëllezërve Haxhia, Prokuroria e Posaçme SPAK bashkoi dy dosjet, të Haxhiajve dhe të dy të rinjve që u ekzekutuan në 2 mars 2020, pasi vëllezërit Haxhia kishin njohje dhe marrëdhënie miqësore me dy viktimat, Shkoza dhe Avdia.

Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia u ekzekutuan më pak se një km nga vendi ku u ekzekutuan vëllezërit Haxhia, me të njëjtën mënyrë e mekanizëm. SPAK përfundoi hetimet në vitin 2021 për Talo Çelën dhe grupin e tij lidhur me dy vrasje të bujshme në Durrës atë të 2 vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia dhe vrasjen e të rinjve Dorian Shkoza, Anxhelo Avdia. Për vrasjet akuzohen Talo Çela, Nuredin Dumani, Klevis Alla, Altin Ndoci, Besian Xhixha dhe Enver Diva.

Kështu, sipas SPAK, Talo Çela është i akuzuar për 5 vepra penale, mes tyre, për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, në dëm të viktimave Dorian Shkoza, Anxhelo Avdia, Besmir Haxhia e Viktor Haxhia. Gjithashtu Çela, i cili është në arrati, akuzohet edhe për tentativën e vrasjes me paramendim ndaj Irfan Hazizit.

Si ndodhi vrasja e dy vëllezërve?

Vrasja e dyfishtë ka lidhje me serinë e vrasjeve që ndodhen për paratë e grabitura në pistën e aeroportit të Rinasit. Besian Xhixha dhe Enver Diva ishin parapaguar 5 mijë euro për të vrarë një nga vëllezërit , Besmir Haxhia ndërsa vëllai tjetër u vra aksidentalisht. Urdhri për vrasjen ishte dhënë nga i kërkuari i drejtësisë Nuredin Dumani, ky i fundit ishte bashkëpunëtor dhe mik i afërt në atë kogë me të shumëkërkuarin e drejtësisë Talo Çela, i përfshirë në grabitjen e parave në Rinas. Parapagesa ishte bërë dy javë para vrasjes, ata kishin vëzhguar Besmiri më para, hap pas hapi, më pas sikurse bën me dije SPAK, Diva u prek nga covid dhe prandaj nuk u bë porosia. Ai njoftoi Dumanin se nuk mund ta kryente vrasjen dhe më pas ekzekutimi i Besmirit është bërë nga të tjerë ku ishte i pranishëm dhe Talo Çela, dhe shtetasi Doçi. Sipas hetimeve Çela dhe Dumani kanë thënë se” Besmiri po fliste shumë, i kishte hyrë vetja në qejf dhe nuk duhet më të qarkullonte”.

Kush është vrasësi me pagesë, Nuredin Dumani?

Ai është emër i njohur në botën e krimit. Dumani është autor i dyshuar për vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës, kjo pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Klevis Alla i cili tha se vëllezërit u vranë pasi akuzoheshin se nuk i kishin kthyer një shumë të konsiderueshme parash që kishin lënë në servisin e tyre. Dumani mësohet se ka lidhje shoqërore me Klevis Kapllanin, i ekzekutuar me 14 plumba më 15 shtator. Ai akuzohet edhe si organizator i vrasjes së Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdylit, në 2 mars të vitit 2020. Për vrasjen e katër të rinjve në Durrës, Dumani ka bashkëpunuar së bashku me Talo Çelën, ndërsa sot ai akuzohet për vrasjen e vëllait të tij, Bujar Çela.

Gjithashtu Dumani ka qenë i lidhur me një rrjet prostitucioni që doli në dritë pas denoncimit të një vajze nga Durrësi të trafikuar në Francë. Sipas dëshmisë së saj, Dumani ishte tutori që i mashtronte vajzat duke u propozuar për martesë dhe në rast refuzimi i kërcënonte se do t’u vriste familjarët.

I shumëkërkuari Nuredin Dumani u arrestua në Fier gjatë operacionit të zhvilluar nga RENEA më 30 mars 2022. E gjitha ndodhi pas përfshirjes në një atentat të ndodhur pasditen e 30 marsit ndaj Talo Çelës, një prej emrave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare. Dumani u plagos në shpatull gjatë përplasjes në Elbasan. Policia mori informacion se Dumani pas atentatit në Elbasan ishte larguar për në qytetin e Fierit dhe po fshihej në një bllok pallatesh në lagjen “Apollonia”.