Aktualitet Politikë

Meta kërcënon dhe fyen kreun e SPAK, Dumani i përgjigjet: Akuza të pabaza që i bëhen institucionit!

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka kërcënuar dhe fyer sot hapur drejtuesin e SPAK, Altin Dumani. I ndodhur nën hetim pasuror nga SPAK për disa çështje penale ndaj tij dhe bashkëshortes, Monika Kryemadhi, Meta nuk është përmbajtur dot duke e akuzuar se ka takuar McGonigal.

Qëndrimin, kreu i PL-së e mbajti në një konferencë për shtyp kur tha se edhe Nuredin Dumani, i akuzuar si autor i një sërë vrasjesh në vend, është një nivel më lart se kreu i Prokurorisë së Posaçme.

Sipas Metës, kushëriri i Nuredin Dumanit, siç e quajti ai, kreun e SPAK, mori peng PD-në përmes Charles McGonigal, por edhe partinë që ai tashmë drejton.

“Nuredini pavarësisht se është një personazh i një bote që e ka zgjedhur vetë, ka më shumë integritet se kushëriri i tij. Ky është zgjedhur për të respektuar kushtetutën. Nuredini ka bërë vrasjet që ka pranuar vetë, por ky karafil mendon se mund të bëhet një vrasës i suksesshëm i pluralizmit politik në vend. Ky mendon se mund ta arrijë përmes Ramës me McGonigal, siç është rasti i kryetarit të PD që ishte peng, apo përmes kapjes së ndonjë laraske apo sufllaqexhiu nga Partia e Lirisë. Këtë e gënjejnë se do ta bëjnë kryeministër dhe qesh Shqipëria sot. Dikur kështu gënjenin dhe Fatos Klosin. U bëj thirrje kushërinjve të Nuredinit të bëhen gati nëse e dinë kaq të thjeshtë punën e Partisë së Lirisë dhe Ilir Metës të pyesin edhe mentorët e tyre se si e kanë parë veten shumë shpejt nga pozita e të fortit në atë të të shtrydhurit nga politika. Ky as në nivelin e Nuredinit nuk është dhe nuk prisnim që të thoshte që e kam takuar McGonigal”, tha Meta në konferencë për shtyp.

Lidhur me akuzat e kreut të Partisë së Lirisë, reagoi drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, i cili i tha Top Channel se nuk e kishte takuar kurrë ish agjentin e FBI-së, Charles McGonigal.

“Unë nuk e kam takuar kurrë McGonigal. Gjithçka është thënë në media, është në vazhdën e akuzave të vazhdueshme, te pabaza që bëhen për institucion që unë drejtoj. Nuk ka pasur asnjë arsye për të takuar McGonigal, as nuk e kam njohur kurrë dhe emrin ia kam dëgjuar pas publikimeve ne mediat shqiptare.”, thekson Altin Dumani.