Rajoni

Vuçiç nuk njeh sanksionet e SHBA’-së ndaj Vulin dhe zyrtarëve të Republikës Srpska

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka thënë se sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj udhëheqjes së Republikës Sërpska dhe Serbisë nuk ekzistojnë, se ato nuk do të sjellin asnjë të mirë dhe vetëm do t’i dëmtojnë marrëdhëniet e ndërsjella.

“Mjafton të shohim se ndaj kujt janë sanksionet për ta parë se sa të paanshme janë. Ne jemi një vend i vogël, veçanërisht në krahasim me SHBA-në. Për ne, ato sanksione nuk ekzistojnë dhe ne nuk do të pajtohemi në asnjë mënyrë me ata që vendosën ato sanksione kundër pjesëtarëve të kombit tonë. Për ne, ky është i vetmi vendim i mundshëm, i ndershëm por i vështirë”, tha Vuçiçi më 4 gusht në Banja Lluka të Bosnje dhe Hercegovinës.

Vuçiç tha se gjatë dy ditëve të fundit, përveç sanksioneve, ka diskutuar me udhëheqjen e Republikës Sërpska (RS) dhe patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe, “për gjithçka që ndodhi dhe mund të ndodhë në Kosovë”.