Bota

Wagner kërcënon të tërheqë mercenarët rusë nga Bakhmuti!

Yevgeny Prigozhin, themeluesi i grupit paraushtarak rus Wagner, kërcënoi se do të tërheqë mercenarët nga qyteti i sulmuar ukrainas i Bakhmutit nëse nuk zgjidhen problemet e furnizimit me municione. Deklarata erdhi pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy kërkoi ndihma me sisteme moderne të mbrojtjes ajrore, pas një prej sulmeve më vdekjeprurëse ruse ndaj civilëve në muajt e fundit.

Prigozhin u shpreh se do të “detyrohet të tërheqë disa njësi” nga Bakhmuti nëse së shpejti, Wagner nuk merr më shumë municion. Një ankesë që e ka bërë të ditur prej javësh.

Bakhmut, qendër kryesore transporti në rajonin e Donjeckut është vendi i luftimeve më intensive muajt e fundit, me numër të madh të viktimave nga të dyja palët. Zyrtarët ushtarakë ukrainas kanë thënë se humbja e Bakhmutit, që ndodhet në kodra duke ofruar mbrojtje natyrore do të ekspozonte trupat e Ukrainës ndaj sulmeve ruse.

Wagner ka udhëhequr përpjekjet ruse për të marrë Bakhmutin që nga viti i kaluar, por nuk ka qenë në gjendje të largojë luftëtarët ukrainas, të cilët ende mbajnë cepat perëndimorë të qytetit. Prigozhin paralajmëroi se një tërheqje e Wagnerit nga Bakhmuti do të çonte në një kolaps rus përgjatë pjesëve të tjera të frontit prej 1 mijë kilometrash.

Ndërsa Prigozhin bëri këtë deklaratë, forcat ruse vazhduan presionin në vijën e frontit Bakhmut-Adviyivka-Maryinka, duke nisur 48 sulme të pasuksesshme në pozicionet ukrainase.

Të paktën 25 persona, përfshirë disa fëmijë u vranë në një valë sulmesh ruse në qytetet ukrainase, edhe në kryeqytetin Kiev, më 28 prill. Më i godituri ishte Umani, në rajonin Cherkasy të Ukrainës qendrore ku të paktën 23 persona, përfshirë katër fëmijë u vranë kur një raketë ruse goditi një ndërtesë 9-katëshe me apartamente.

Në Uman u shpallën tre ditë zie dhe prokurorët hapën një hetim për krimet e luftës. Më herët, presidenti Zelenskiy i dënoi sulmet si “natë terrori rus”.

E keqja ruse mund të ndalet me armë, mbrojtësit tanë po e bëjnë këtë dhe mund të ndalet me sanksione. Sanksionet globale duhet të rriten.

Komanda e Forcave Ajrore të Ukrainës raportoi se sulmi i shumëanshëm në qytetet ukrainase u ekzekutua nga bombarduesit strategjikë rusë Tu-195 që vinin nga rajoni i Detit Kaspik.