Showbiz

Weinstein, gati pakti me akuzueset për 44 mln dollarë

Producenti i diskredituar i “Hollywood”-it, Harvey Weinstein, dhe pjesëtarë të bordit drejtues të ish-studios së tij filmike thuhet se kanë arritur një marrëveshje në parim me femrat që e akuzuan atë për sjellje të pahijshme seksuale ndaj tyre.

Avokatët e tij thonë se marrëveshja për të zgjidhur paditë ligjore civile dhe për të kompensuar viktimat e pretenduara shkon në shifrën e 44 milionë dollarëve. Megjithatë, Weinstein mohon ende të ketë ngacmuar seksualisht apo të ketë abuzuar me mbi 75 gra.

Ai do të dalë në gjyq në Nju Jork gjatë qershorit, për akuza kriminale të ngritura nga dy femra, përfshi këtu edhe për përdhunim. Adam Harris, avokat për studion e themeluar nga Harvey dhe Bob Weinstein i tha një jurie se “një marrëveshje ekonomike në parim” është arritur, siç raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Ekipi i Weinsteinit tha më vonë për “Wall Street Journal” se shuma totale e kësaj marrëveshjeje mbërrin rreth 44 mln dollarë.

67-vjeçari Weinstein është një prej producentëve më të famshëm të “Hollywood”-it, i cili ka punuar me një sërë filmash që kanë fituar çmime prestigjioze, përfshi këtu “Shakespeare in Love”, “The King’s Speech” dhe “The Artist”.