Bota

YouTube bllokon videot anti-vaksinë!

YouTube do të bllokojë të gjitha videot me përmbajtje anti-vaksinë. Në këtë mënyrë, shkohet përtej vendimit për të ndaluar vetëm ato që jepnin informata të rreme për vaksinat kundër koronavirusit. Lajmin e njoftoi vetë kompania.

Shembuj të përmbajtjeve që nuk do të lejohen në YouTube përfshijnë pretendimet se vaksina e gripit shkakton humbjen e aftësisë riprodhuese dhe se ajo që mbron nga fruthi, shytat e rubeola, mund të bëhet shkak për autizëm.

Një zëdhënës i YouTube-it bëri të ditur se gjithashtu do të bllokohen ato kanale të lidhura me aktivistë të njohur kundër vaksinave, mes tyre Robert F. Kennedy Jr. e Joseph Mercola.

Në një email të publikuar në faqen e tij në internet, Mercola shkruante:

Ne jemi të bashkuar në të gjithë botën, nuk do të jetojmë me frikë. Do të qëndrojmë së bashku e do të rivendosim liritë tona!

Një deklaratë e dha edhe Kennedy:

Nuk ka asnjë rast në histori kur censura dhe fshehtësia janë vendosur përpara demokracisë ose shëndetit publik.

Ky zhvillim vjen pasi YouTube dhe gjigantët e tjerë të teknologjisë si Facebook e Twitter u kritikuan se nuk kanë bërë sa duhet për të ndaluar në faqet e tyre, përhapjen e informacionit të rremë lidhur me shëndetin publik.

Por ndërsa YouTube po ndërmerr masa më të ashpra ndaj dezinformatave, njëherazi përballet me reagime në të gjithë botën. Për shkelje të politikës së saj mbi dezinformimin ndaj COVID-it, dy ditë më parë, kompania bllokoi kanalet në gjuhën gjermane të RT-së, të mbështetura nga qeveria ruse. Rusia reagoi dhe e quajti këtë vendim “agresion të pashembullt kundrejt informacionit”. Ndërkaq, kërcënoi se do të bllokojë YouTube-in.