Aktualitet

Zbardhet vjedhja e supermarketit në Sarandë/ Policia publikon pamjet e arrestimit të autorëve (njëri prej tyre punonjësi i sigurisë)

Dy persona janë arrestuar si autorë të vjedhjes së shumës prej 20 mln lekë në një supermarket në Sarandë më 11 dhjetor. Në pranga ranë Bekdash Cukalla, 37 vjeç, banues në Sarandë dhe Edmond Duzha, 40 vjeç, banues në Tale, Lezhë, i dënuar më parë në Itali për vjedhje dhe dhunë ndaj policisë.

Cukalla ka qenë i punësuar si teknik i kamerave të sigurisë në këtë supermarket dhe nëpërmjet telefonit të tij ka kontrolluar shumën e parave që gjendeshin në ambientet e këtij subjekti. Kjo ka bërë që ai së bashku me shokun e tij Duzha të organizojnë vjedhjen e parave si dhe morën dhe një server të kamerave të sigurisë për të mos u zbuluar.

Por ka qenë një tjetër server i fshehur i kamerave që ka bërë të mundur filmimin e autorëve dhe të gjitha veprimet e tyre. Kamerat e sigurisë nxorën në pah se të rinjtë ishin veshur me kostume sportive me kapuç, me maskë antiCOVID, ndërsa paratë e vjedhura nga kasaforta e supermarketit i kishin futur në çantë. Hajdutët u futën në supermarket nga pjesa e pasme e tij duke marrë paratë dhe një server të kamerave të sigurisë.

Kjo ka bërë që policia të organizojë operacionin “Fundviti”  dhe të arrestojë në flagrancë dy autorët. Gjatë aksionit u sekuestruan shumat 400.000 lekë, 2500 dollarë dhe 1000 paund, 2 automjetet me të cilat janë larguar autorët pas ngjarjes, 4 telefona celular, 3 pajisje DVR dhe 2 laptop.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja” kryer në bashkëpunim.