Aktualitet

Zgjidhet Këshilli i ri i Emërimeve në Drejtësi për 2022, Sokol Binaj kryetar!

Në Presidencë, sot u hodh shorti për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili do të funksionojë përgjatë vitit 2022. Nga Gjykata Kushtetuese, goglat përzgjodhën Marsida Xhaferllarin dhe Elsa Toskën. Anëtar zëvendësues i Kushtetueses në KED është shortuar Altin Binaj.

Nga kandidatët e Gjykatës së Lartë, shorti ka përzgjedhur Sokol Binajn si anëtar të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Sipas ligjit, Binaj do të jetë edhe kryetari i ri i KED-it. Ndërkohë, Sandër Simoni është përzgjedhur anëtar zëvendësues nga Gjykata e Lartë.

Nga kandidatët e Prokurorisë së Përgjithshme, Anila Leka është përzgjedhur nga shorti si anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ndërsa Thoma Jano është përzgjedhur anëtar zëvendësues në KED nga Prokuroria e Përgjithshme.

Nga kandidatët e Gjykatave të Apelit janë përzgjedhur nga shorti Edlira Petri dhe Enton Dhimitri si anëtarë të përhershëm. Ridvan Hado është përzgjedhur si anëtar zëvendësues.

Nga kandidatët e zyrave të Prokurorive pranë Gjykatave të Apelit janë përzgjedhur Arta Marku dhe Etien Kapo, ndërsa anëtar zëvendësues është përzgjedhur Genti Xholi.

Nga kandidatët e Gjykatave Administrative është përzgjedhur Klodiana Mema (Veizi) si anëtare e përhershme, ndërsa anëtar zëvendësues është përzgjedhur Erarbër Madhi.

Në fund, shorti u miratua nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta.