Aktualitet Rajoni

Zjarret në Greqi, edhe Korfuzi si Rodosi lëshon urdhër evakuimi!

Pas Rodosit, Korfuzi është kthyer në ishullin më të fundit grek që ka lëshuar urdhër për evakuim, ndërsa Greqia po përballet me zjarre masive në pyje. Korfuzi është përfshirë nga flakët, ndërsa tymi i shkaktuar shihet qartazi dhe nga Ksamili, në vendin tonë.

Shumë persona u detyruan të ikin nga hotelet, pasi zjarret kanë vazhduar të përhapen nga qendra e këtij ishulli grek. Ditët e fundit, vendi fqinj ka regjistruar temperatura mbi 40 gradë Celcius e për pasojë disa zona janë përpirë nga flakët, që vështirë të mund të vihen nën kontroll në kohë të shpejtë.

Presidenca greke anuloi planin që e sotmja të ishte festë kombëtare. Shkak u bë situata nga zjarret. Korfuzi që gjendet në Detin Jon, në veriperëndim të Greqisë është një destinacion i vizituar shumë nga turistët, përfshirë ata shqiptarë.

Ndërkaq, në Rodos, zjarri që po shkatërron ishullin ende është jashtë kontrollit. Një ditë më parë, autoritetet evakuan 30 mijë persona, 2 mijë prej të cilëve u transportuan nga plazhet, me anije.

Zjarri ka djegur një sipërfaqe të madhe pylli, duke shkatërruar dhe hotele luksoze, krahas shumë banesave. Ndërkohë, vijon puna e zjarrfikësve të angazhuar në vijën e frontit kundër temperaturave të larta dhe erërave të forta që favorizojnë flakët.

Një zëdhënës i policisë tha se në Rodos, ekipet e shpëtimit kryen “operacionin më të madh të evakuimit të ndërmarrë ndonjëherë në Greqi”.

Gjithçka shkoi mirë. Të gjithë, veçanërisht turistët, ndoqën urdhrat.

Rreth 30 mijë njerëz u detyruan që të linin shtëpitë ose hotelet e tyre dhe përmes një mesazhi nga numri 112 iu kërkua të lëviznin drejt qytetit të Rodosit. Në evakuim ndihmuan tre anije të rojes bregdetare, një varkë e gjatë e ushtrisë, një gomone e Forcave Speciale e 30 varka me vela, të siguruara privatisht.

Kompania private e transportit Blue Star ofroi një nga anijet e saj për të pritur disa nga personat e zhvendosur.