Lifestyle

Studimet: Përse vdesin më shumë burra nga COVID-19?

Burrat, gratë dhe fëmijët infektohen njëlloj nga virusi i ri i koronës. Por burrat sëmuren shpesh më rëndë me COVID-19 dhe vdesin më shpesh prej tij. Ndërsa gratë dhe fëmijët janë më pak të rrezikuar.

Që nga fillimi i pandemisë ka spekulime lidhur me arsyen, se përse burrat vuajnë më shumë nga infeksioni me virusin e ri korona: Burrat i kushtojnë më pak vëmendje shëndetit, pijnë më shpesh duhan, ushqehen më keq. Pikërisht brezi i vjetër kishte një mënyrë jo të shëndetshme jetese. Përveç kësaj supozohet se burrat shkojnë me shumë vonesë tek mjeku.

Të dhënat e nismës kërkimore Global Health 50/50 nga më shumë se 20 vende konfirmojnë se gratë infektohen po aq shpesh sa burrat. Por burrat shpesh sëmuren më rëndë nga COVID-19 dhe gjasat që të vdesin nga infeksioni janë më të mëdha. Po të shihet niveli i vdekshmërisë, shpërndarja është një e treta me dy të tretat.

Sigurisht që ndikim kanë edhe me sëmundjet e mëparshme. Për shembull, burrat vuajnë shumë më shpesh nga sëmundjet kardiovaskulare, nga të cilat vdesin më shpesh se gratë.

Përveç kësaj vendimtare është struktura e moshës: sipas Institutit Robert Koch (RKI) në të gjitha grupmoshat deri te 70 deri 79 vjeçarët kanë vdekur dy herë më shumë burra sesa gra. Vetëm pas kësaj moshe raporti fillimisht përafrohet, dhe pastaj në grupmoshën 90 deri 99 vjeç rikthehet siç ishte fillimisht.

Kjo ndoshta ka të bëjë në radhë të parë me faktin se ka më shumë gra të moshuara sesa burra të moshuar. Arsyet e këtij dallimi gjinor nuk i shpjegon dot as RKI.

Receptori ACE2 si porta hyrëse?

Një rol të rëndësishëm luan ndoshta edhe receptori ACE2, sepse ai shërben si një portë hyrëse për sëmundjet e shkaktuara nga koronaviruset COVID-19, SARS dhe MERS. Burrat kanë qenë më të prekur edhe nga MERS, thotë Bernhard Zwißler, Drejtor i Klinikës së Anestesiologjisë në klinikën LMU.

Sipas një studimi të University Medical Center Groningen  ky receptor ACE2 gjendet në një përqendrim më të lartë te burrat. Këtë ndryshim mes gjinive studjuesit e zbuluan, kur shqyrtuan një lidhje të mundshme ndërmjet receptorit ACE2 dhe dobësisë, insuficiencës kronike të zemrës.

Sipas Bernhard Zwißler momentalisht është duke u studjuar, nëse dhënia e ACE inhibitorëve për uljen e tensionit të gjakut bën që qelizat të krijojnë më shumicë receptorin ACE2 dhe në këtë mënyrë të jenë më të ndjeshme ndaj një infeksioni. Kjo supozohet, por akoma nuk është dëshmuar asgjë.

A i mbron gratë estrogjeni dhe sistemi më i fortë imunitar?

Sistemi imunitar femëror është më rezistent se ai i burrave. Arsye për këtë është hormoni seksual femëror estrogjen, i cili stimulon sistemin imunitar duke vepruar më shpejt dhe masivisht kundër patogjenëve. Testosteroni mashkullor nga ana tjetër pengon mbrojtjen e trupit.

Që sistemi imunitar i grave reagon në përgjithësi më shpejt dhe më fort ndaj infeksioneve virale se ai i burrave, konstatohet edhe tek sëmundje të tjera virale, si gripi apo edhe ftohjet e lehta, pohojnë virologët.

Me sa duket edhe te shakatë lidhur me “ftohjen e meshkujve” ka diçka të vërtetë. Por gratë vuajnë më shpesh nga sëmundjet autoimune, në të cilat sistemi imunitar reagon me tepri dhe sulmon qelizat e veta – një komplikacion i mundshëm edhe për COVID-19.

Përveç kësaj janë edhe “shkaqe gjenetike”, që favorizojnë gratë, thotë virologu molekular  Thomas Pietschmann për DW. Arsyeja është se disa gjene, që kanë të bëjnë me imunitetin, për shembull gjenet që janë përgjegjës për zbulimin e patogjenëve, kodohen te kromozomi X”. Meqenëse gratë kanë dy kromozome X dhe burrat vetëm një, gratë janë në avantazh.