Aktualitet Rajoni

1-vjetori i marrëveshjes Kosovë-Serbi në Ohër, Rama: Zbatimi, kusht për anëtarësimin e tyre në BE!

1-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit, Kosovë-Serbi, kryeministri Edi Rama shkruan se bashkë me implementimin e anekseve, është e një rëndësie të madhe për paqen në Ballkanin Perëndimor. Po ashtu, thekson se akordi ka rëndësi edhe për rrugëtimin e dy vendeve në Bashkimin Europian.

Postimi i shefit të qeverisë:

Ndërsa i afrohemi takimit të Këshillit të Evropës të 21 marsit, është thelbësore të kujtojmë se zbatimi i Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, së bashku me Aneksin e saj Zbatues, është i një rëndësie të madhe për ruajtjen e sigurisë, stabilitetit dhe paqes në Ballkanin Perëndimor.

Nuk mjafton thjesht që Marrëveshja të jetë ligjërisht e detyrueshme. Për të siguruar progres, Marrëveshja dhe Aneksi i Zbatimit duhet të përfshihen zyrtarisht si pjesë e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Çdo vonesë për ta bërë këtë vetëm e forcon status quo-në.

Dhe status quo-ja në lidhje me këtë çelës strategjik për fqinjësi paqësore, të begatë dhe evropiane në mes të Evropës nuk i shërben sigurisë së vetë Evropës.

Me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak shefi i diplomacisë së Unionit, Josep Borrell ndërmjetësoi bisedimet e një viti më parë Kurti-Vuçiç. Në përfundim të takimit të gjatë mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit serb, Borrell deklaroi:

Palët pranuan që marrëveshja dhe zbatimi i saj përmes Aneksit, të bëhen pjesë integrale e rrugëve përkatëse drejt Bashkimit Europian. Edhe pse ato vendosën të mos e nënshkruajnë zyrtarisht marrëveshjen, ranë dakord që sa më shpejt të jetë e mundur të fillojnë zbatimin e saj.  Eshtë e qartë se të dyja palët do të kenë përfitim të madh nga kjo marrëveshje, sepse dialogu nuk është vetëm i Kosovës e Serbisë, por ka të bëjë me stabilitetin, sigurinë e prosperitetin e të gjithë rajonit.

Kryeministri Albin Kurti pati deklaruar se “dakordësia e arritur është njohje reciproke de facto e Kosovës dhe Serbisë”. Por, a do të lejonte formimin e Asociacionit të komunave serbe?

 Bëhet fjalë për një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb, jo për vetëqeverisje.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç u shpreh se “formimi i Asociacionit është bërë detyrim me prioritet”.