Aktualitet

15 vite burg për drogë në shkolla/ Ndryshimet ligjore kundër krimeve ndaj fëmijëve!

Komisionet parlamentare pritet që të nisin diskutimet e një morie ndryshimesh në Kodin Penal.  Top Channel disponon një draft-propozim të ndryshimeve. Përmes tyre, Ministria e Brendshme në kuadër të  “Paketës për Sigurinë në Shkolla”, iniciuar nga ministri Taulant Balla, propozon ashpërsimin e dënimeve për 11 vepra penale, të kryera në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij.

Propozohet që kryerja e një vepre penale në dëm të një të mituri në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij, të jetë një rrethanë rënduese.

Kërkohet burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet për të përfshirët në “Nxitjen për përdorimin e drogës” te nxënësit e shkollave.

Kërkohet një ndëshkim me burg disa herë më shumë sa është në Kodin Penal të tanishëm, për “Prodhimin dhe shitjen e narkotikëve” jashtë perimetrit të shkollave.

Kjo vepër, thotë Ministria e Brendshme duhet të dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet”.

Ndërsa “Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet”.

Hedhja ose braktisja e shiringave brenda dhe jashtë shkollave do të konsiderohet vepër penale e ndëshkuar me burgim nga një vit deri në tre vjet”.

Dhuna seksuale ndaj nxënësve kërkohet të dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.

Bindja e një të mituri në ambientet e shkollave për të marrë pjesë në shfaqje pornografike, dënim nga tre deri në pesë vjet.

Pësojnë rritje të masës së dënimit me burg edhe “Trafikimi i të miturve”.

Rritet masa e ndëshkimit me burg për “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”  brenda dhe jashtë perimetrit të shkollave përfshi edhe mbajtja e armëve të ftohta.

Ndërsa “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” në perimetrin e sigurisë së një institucioni arsimor, dënohet me burgim nga një vit deri në tre vjet”./Top Channel