Aktualitet Rajoni

23 vjetori i çlirimit, Meta: Kosova, shembull i demokracisë dhe shtetit ligjor!

Presidenti Ilir Meta ka reaguar për 23 vjetorin e çliirimit të Kosovës nga serbët në një ofensivë ushtarake të drejtuar nga SHBA-të dhe NATO.

“Sot në Ditën e Çlirimit, çdo shqiptar i gëzohet arritjeve të Republikës së Kosovës, faktor kyç për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon, shembull frymëzues i ndërtimit të demokracisë dhe shtetit ligjor, që meriton sa më parë të jetë anëtare e NATO-s, përfituese e liberalizimit të vizave, anëtare e Këshillit të Evropës, si dhe çdo organizate ndërkombëtare.

Në këtë ditë historike nderojmë vizionin strategjik të Presidentit Ibrahim Rugova, rezistencën e lavdishme të UÇK, heroizmin legjendar të Komandantit Adem Jashari dhe sakrificat e çdo shqiptari që kontribuoi për lirinë dhe pavarësinë.

Mirënjohje dhe thellësisht falenderues për Aleancën e Atlantikut të Veriut, SHBA-ve dhe vendeve demokratike mike, që i dhanë fund genocidit, kurorëzuan aspiratën shekullore për liri dhe vazhdojnë t’i qëndrojnë afër Kosovës për të ndihmuar në zhvillimin e pandalshëm të demokracisë, avancimit të proceseve integruese europiane dhe euro-atlantike.”- shkruan Meta.