Bota

4 viktima, 5 të zhdukur e mbi 500 milionë euro dëme nga përmbytjet në Slloveni!

Në Slloveni rëndohet bilanci i viktimave dhe i dëmeve të motit të keq me shi të dendur e përmbytje të jashtëzakonshme. Në brigjet e lumit Sava, dje u gjet një tjetër trup i pajetë, duke e çuar në katër numrin e atyre që kanë gjetur vdekjen nga pasojat e motit ekstrem, më i keqi në tre dekada.

Mes viktimave janë dhe dy alpinistë holandezë që vdiqën të premten në malet pranë Kranjit, të goditur nga rrufeja. Po të premten, një grua ndërroi jetë për shkak të përmbytjeve në qytetin e Kamnikut, 20 kilometra në veri të Ljubjanës.

Disa qytete u pushtuan nga përmbytjet dhe mbeturinat masive. U dërguan helikopterë për të siguruar ushqim e ujë të pijshëm, ndërsa ushtarët u përpoqën t’i arrinin zonat në këmbë.

Të paktën pesë shtetas holandezë u zhdukën mes stuhive.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen siguroi Slloveninë për ndihmë. Eurokomisioneri për Ndihmën Humanitare dhe Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarçiç, planifikon ta diskutojë çështjen me qeverinë sllovene.

Kryeministri Robert Golob foli për “dëmin ndoshta më të madh të shkaktuar nga një fatkeqësi natyrore në historinë e Sllovenisë së pavarur”, pra prej vitit 1991. Dëmin e pronës e vlerësoi në “mbi 500 milion euro”. Pasojat kryesore janë në infrastrukturën rrugore dhe atë energjetike e në qindra godina banimi.

Në Dravograd, në afërsi të kufirit me Austrinë, 110 persona, mes tyre 30 turistë u ndihmuan dhe u dërguan në vende të sigurta, pas një rrëshqitjeje dheu, një ditë më parë. Qyteti që shtrihet në bashkimin e tre lumenjve Drava, Meze e Mislinje u rrezikua nga një tjetër rrëshqitje dheu.

Të paktën tre ura u shembën në Slloveni e pjesë të ndryshme të rrugëve mbetën nën ujë. Mbrojtja Civile raportoi mbi 3 mijë e 700 operacione në mbarë vendin, brenda 36 orëve.

Njerëzit që strehoheshin nën pemë ose në çatitë e shtëpive duhej të shpëtoheshin. Punonjësit e ndihmës ofruan ushqim e ndihmë aty ku u ndërpre furnizimi me ujë. Cisternat duhej të dërgonin ujë të pijshëm në shumë zona pasi tubat u dëmtuan nga përmbytjet.

Dje pati bllokime të mëdha të qarkullimit, për shkak të trafikut të pushimeve, si në A11, në tunelin Karawanken mes Austrisë e Sllovenisë. Autoritetet rekomanduan shtyrjen e udhëtimeve në Slloveninë e veriut.