Sociale

40-ditësh me celular, pediatrja Lira Gjika: Metoda e gabuar e qetësimit të foshnjave

Shtatori shënoi rikthimin e fëmijëve tanë në kopshte dhe shkolla dhe trekëndëshi Fëmijë-Prind-Mësues fillon të riaktivizohet. Pediatrja Lira Gjika na jep disa sugjerime sesi ky bashkëpunim të jetë më efecient.

“Vlera e shkollës qëndron në faktin që sado ndryshime të pësosh, kur kthehesh në punë, vazhdon aty ku e ke lënë. Fëmijët me rikthimin në shkollë, gati e kanë harruar treçerekun e gjërave. Kjo edhe për faktin që ne kemi akoma një shkollë që i trembim fëmijët, krijojmë shumë ankth, i tregojmë fëmijëve që s’dinë.

Profesionisti i mirë kap atë gjënë e vogël të re, që ka mësuar fëmija, atë rritjen e vogël dhe atë t’i lavdërojë. Gjëja që di më mirë fëmija, është që nuk di. Dhe po i treguam atë që nuk di, ne kemi shkëputur marrëdhëniet me ta dhe jemi bërë si frika, turpi dhe paaftësia e fëmijëve tanë.

Shkolla ka detyrë të na mësojë dhe të organizojë mendjen e individit, qytetarit, ndërsa familja është vendi ku ne mësojmë të duam. Ajo që mësojmë në shkollë duhet konfirmuar në familje.

Teknologjia është shpikje e njeriut dhe njeriu e ka në dorë ta përdori mirë ose keq. Baza e ekzistencës së jetës është komunikimi mes dy qelizave. Është shumë e rëndësishme që ne të komunikojmë me njëri-tjetrin. Natyrisht ne do të qëndrojmë 2-3 orë në telefon se është mjet pune, por jo të bëhemi të huaj brenda familjes sonë.

Kjo është e vërtetë që teknologjia po keqpërdoret, por kjo është zgjedhje e këtyre njerëzve që përtojnë të merren me fëmijët e tyre dhe me veten. I vënë përpara një celular dhe mendojnë se e zgjidhën problemin. Unë i referohem përvojës sime personale ku prindërit i vënë përpara celularin fëmijës 40-ditësh që ai të pushojë se qari dhe të rrijë urtë”, është shprehur pediatrja Lira Gjika.