Dilema Sociale Sociale

Pandemia në vend, Lira Gjika: “Duhet ta ndajmë frikën me fëmijët”

Viti shkatërrimtar i fëmijëve, si t’i shpëtojmë?! E ftuar në programin “Dilema Sociale” për të diskutuar rreth kësaj teme, ishte pediatrja, Lira Gjika.

Lira Gjika u fokusua tek agresiviteti i prindërve edhe si ndikon kjo gjë tek fëmijët. Ajo u shpreh se fëmijët shembullin e marrin vetëm nga të rriturit në situata të ndryshme të jetës.

Të gjithë e dimë se jemi të lodhur nga kjo periudhë pandemike që kaluam e jemi mërzitur aq shumë sa ndonjëherë harrojmë se edhe fëmijët kalojnë po të njëjtën gjë.

Pediatrja tregon se gjëja më e keqe që bëjnë fëmijët prej frikës është aktivizimi i harresës, pra ata harrojnë situatat e pakëndshme apo të dhimbshme që përjetojnë pasi nuk i kanë të aktivizuar mekanizmat mbrojtës njësoj si të rriturit.

Problemet e shëndetit mendor në një moshë të rritur lidhen me harresën. Gjendjet e ankthit e vështirësitë në situata të ndryshme fëmijët zgjedhin t’i harrojnë, e kjo sjell probleme me menaxhimin e vetes dhe sillen si të rritur konfuzë.

Pediatrja Gjika gjithashtu ndau disa këshilla se si e gjithë kjo situatë pandemike të lërë sa më pak pasoja tek fëmijët.

Do të ketë pasoja nëse do t’i lëmë fëmijët pa shpjegim, duke menduar se nuk kuptojnë. Duhet t’ju flasim e t’ju shpjegojmë situatën, t’ju tregojmë se jemi po aq të shqetësuar e të frikësuar sa ata. Duhet të ndajmë frikën me fëmijët…

Një këshillë tjetër shumë e bukur dhe domethënëse ishte se mënyra më e mirë për të qënë sa më pranë fëmijëve është që të mos u vendosësh atyre kushte.