Celebrities Live From Tirana

Pediatrja Lira Gjika: “Sot kopshtet po i “vrasin” fjalën fëmijëve!”

Sot në emisionin “Live from Tirana” për të folur rreth një tematike shumë të rëndësishme siç është fillimi i mësimit parauniversitar ishte e ftuar Lira Gjika, mjeke/pediatre. Sot është dita e dytë e startimit të arsimit parauniversitar, pra shkolla filloi. Për më shumë, na flet vetë Lira…

Shkolla qoftë në kohën time apo në kohën tani ka qenë më shumë për të gjetur gabimet. Sot në fakt ka filluar që mësuesit të shohin arritjet te fëmijët. Thelbi i shkollës është të nxisë te fëmija kurajon për të thënë fjalën e tij, për të zhvilluar mendimin e tij. Sot ka kopshte që i “vrasin” fjalën fëmijës me vjershat përmendësh. Vjershat nga 0-6 vjeç nuk përdoren asgjëkundi. Vret dialogun i rritur-i parritur dhe është karakteristikë vetëm e njeriut që duke dëgjuar fillon të mendojë si të përgjigjet. Ankthi kthehet në një energji pozitive që ti të mbash gjallë dialogun, edhe të bisedosh me tjetrin edhe të mendosh. E keqja e vjershës është që ti punon vetëm me memorien dhe të mbash mend pa dëgjuar, i tërë përqëndrimi është te pasiguria që do i mbajë mend të tëra fjalët apo jo. Gjithmonë frika dhe ankthe të tilla ushqejnë harresën. Ne sot e kemi të vështirë të dëgjojmë tjetrin kur flet, flasim të gjithë në të njëjtën kohë dhe kjo është pikërisht pasojë e kësaj mënyre. Pikërisht në moshën kur njeriu merr të tërë informacionin e duhur për të dalë më pas te mendimi racional, pra mendon nëpërmjet fjalëve dhe pikërisht në moshën kur ti mendon nëpërmjet fjalëve të vënë të mbash mend dhe jo t’i zhvillosh fjalët. 

Sa i duhur ishte kthimi në shkolla sipas Lirës?

I domosdoshëm, duhet të kishte filluar më shpejt. Qe një periudhë e gjatë, e lodhshme, me frikëra, të rritur konfuzë. Frika ishte kthyer sfidë ndaj COVID-it. Kur të rriturit janë konfuzë, kanë frikë, imagjino fëmijët. Ne jemi modeli. Mënyrat bardhë e zi të të rriturve nuk janë kurrë të mira, nuk janë kreative, për fëmijët janë modele të papërgjegjshme. Në shkollë punohet nëpërmjet përgjegjësisë, teknikave pedagogjike ku nxisin fëmijët që të vazhdojnë në modelin e tyre. Sot gjenetika hap rrugën, pjesa tjetër është mjedisi. Fillimisht mjedisi familjar dhe më pas ai shkollor. Në shkollë bëhet qytetari. 

Sa i përket orëve të reja mësimore për fëmijët të cilët do të jenë të shkurtuara, si mendon Lira se do të ndikojë kjo tek ta?

Deri në klasë të 8-të them që përballohet. Pastaj varet nga strategjia që do të përdori Ministria dhe nga pedagogjia e mësuesit. Unë jam e gëzuar se do të bëhen klasa të vogla dhe me pak nxënës mësuesi mund t’i thërrasi në emër. Pra mësuesi e njeh. Një nga problemet që ka fëmija kur nis shkollën është a do ja dijë emrin mësuesi. Kur ke pak fëmijë nuk i harron emrat. Mësuesi është vërtetuar që po kaloi numri 18 i nxënësve, dëgjon zhurmë dhe nuk mund t’i identifikojë. Nëse i di emrat dhe nuk del i lodhur, them që kjo është një gjë e mirë që ka edhe vështirësitë e veta. Mësimi në klasa është i domosdoshëm sepse fëmija është vetëm në klasë dhe ka një të rritur në dizpozicion ta dëgjojë. Fëmijët e mësojnë fjalën nga i rrituri por e zhdërvjelltësojnë me moshatarët prandaj duhet edhe prania e shokëve ndër të tjera.

Por për sa i përket gjimnazeve?

Unë do të tërhiqja vëmendjen te nxënësi i klasës së 9-të që do të përgatitet për provime. Atij i duhet një “tutor” që ta ndihmojë. Duhet të mendohet mirë mësuesi, Ministria me strategjitë, si dhe pedagogjia. Shkolla online ka kufizimet e veta dhe unë aty mendoj që duhet të jenë të vëmendshëm. Më pëlqeu që në një shkollë dy orët e para kishin nisur me fiskulturë. Ne kemi njerëz që dinë, që e njohin pedagogjinë, që punojnë në sektore brenda dhe jashtë vendit. Sidomos për maturantët dhe nxënësit e klasës së 9-të duhet patur shumë kujdes.