Aktualitet Politikë

“6 vota kundër ndryshimeve të statutit”, Noka pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar: Kemi një mision historik, duhet një qeveri teknike!

Flamur Noka pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Rithemelimit tha për mediat se kishte 6 vota kundër ndryshimeve të statutit.

Demokrati theksoi se janë në një mision historik, ku Shqipëria duhet të çlirohet nga regjimi i qeverisë Rama dhe të vendoset një qeveri teknike.

“Jemi në një etapë të re, tashmë të gjithë të bashkuar do të vërshojmë cep më cep të Shqipërisë për të justifikuar këtë besim të demokratëve dhe për t’i shpëtuar regjimit më kriminal që ka parë historia, kemi një mision historik përpara, të rikthehet vota e lirë, prej 10 vitesh shqiptarët nuk votojnë të lirë, regjimi kriminal i Edi Ramës, të kthehet vota e lirë, duhet një qeveri teknike, motoja, Shqipëria duhet të çlirohet nga zgjedhjet barbare. Këshilli kishte 6 vota kundër, votoi në mënyrë unanime këtë proces, shkrirje të brendshme, këtë proces bashkimi. Në këtë mision nuk do të ndalojmë”, tha Noka.

Kryesia e Rithemelimit votoi pro propozimit të ndryshimit të dy neneve të statutit që i hapin rrugë emërimit të Gazment Bardhit dhe Agron Gjekmarkajt si nënkryetar partie.

Në mbledhjen e kryesisë nuk munguan debatet. Deputeti Paloka tha se ndryshimet statutore janë domosdoshmëri për bashkimin e Partisë Demokratike, ndërsa Enidra Bushati e kritikoi se pse nuk ishte e informuar për rendin e ditës.

Gazetarja e Top Channel, Elda Menga zbardhi një ditë më parë dy nenet e statutit të Rithemelimit.

Konkretisht në nenin 47 të statutit, shtohet një pikë sipas të cilës kryesia e grupit parlamentar të bëhet pjesë e kryesisë së Rithemelimit.

“Në rast se pas përcaktimit të përbërjes së Kryesisë së PDSH, sipas pikës 1 të nenit 47, deputetë anëtarë të Kryesisë së Grupit Parlamentar të PDSH, nuk rezultojnë anëtarë të saj, këta te fundit kooptohet me vendin Kryesie, si anëtarë të saj me të drejta të plota, deri në përfundimin e mandatit parlamentar, ose zgjedhjen e tyre sipas pikës 1 të nenit 47”, thuhet në pikën 3 që shtohet në nenin 47.

Në të njëjtën kohë shtohet edhe një paragraf në nenin 51 që i hap rrugën emërimit si nënkryetarë të partisë, kreut të grupit parlamentar dhe nënkryetarit demokrat të Kuvendit

Dy nenet që ndryshojnë:

Në nenin 47 të statutit të PDSH, pas pikës 2 shtohet pika 3 me përmbajtje si vijon;

Në rast se pas përcaktimit të përbërjes së Kryesisë së PDSH, sipas pikës 1 të nenit 47, deputetë anëtarë të Kryesisë së Grupit Parlamentar të PDSH, nuk rezultojnë anëtarë të saj, këta të fundit kuptohet me vendim Kryesie, si anëtarë të saj me të drejta të plota, dëri në përfundimin e mandatit parlamentar, ose zgjedhjen e tyre sipas pikës 1 të nenit 47.

Në nenin 51 të statutit të PDSH, pas pikës 2 shtohet pika 3 me përmbajtje si vijon. “Në rast se pas zgjedhjes së nënkryetarëve, sipas parashikimeve të nenit 45 rezulton se kryetari i grupit parlamentar të PD-së dhe sipas rastit Nënkryetari/Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë nuk janë fitues sipas kësaj procedure, atëherë ata automatikisht konsiderohen nënkryetarë të partisë për shkak të funksionit. Përgjatë këtij mandati secili prej tyre gëzon dhe ushtron të njëjtat të drejta dhe përgjegjësi si nënkryetarët e zgjedhur, për aq kohë sa gëzon funksionin e drejtuesit të grupit parlamentar të PD dhe/ ose atë të Nënkryetarit/Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë.

Anëtarët e rinj të Kryesisë së Partisë Demokratike të Rithemelimit sipas ndryshimeve të reja statutore që u miratuan janë:

Gazment Bardhi – Kryetar i Grupit Parlamentar

Ervin Salianji – Nënkryetar i Grupit Parlamentar

Agron Gjekmarkaj – Nënkryetar i Kuvendit

Zheni Gjergji – (Kryetare, Komisioni i Shëndetësisë)

Dhurata Çupi – (Zëvendës kryetare, Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë)

Helidon Bushati – (Zëvendës kryetar, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin)

Tomorr Alizoti – (Zëvendës kryetar, Komisioni për Politikën e Jashtme)

Ferdidant Xhaferri – (Zëvendës kryetar, Komisioni për Sigurinë Kombëtare)

Jorida Tabaku – (Kryetare, Komisioni për Çështjet Evropiane).