Bota

7 korridore humanitare në Ukrainë, por jo në Mariupol/NATO nuk dërgon trupa e avionë!

Gjatë natës e deri në orët e para të mëngjesit, anijet ruse hapën zjarr kundër portit të Odesës. Më pas, u dëgjua zhurma e disa avionëve ushtarakë ukrainas që fluturuan në zonë, si dhe ranë sirenat anti-ajrore. Një zëdhënës i ushtrisë së Ukrainës tha se “u përpoqën t’i frikësonin, por nuk ia dolën”.

Për sot, Kievi dhe Moska ranë dakord për hapjen e 7 korridoreve humanitare në Ukrainë, por jo në Mariupol. Sipas zv.kryeministres Iryna Vereshchuk, “ende nuk ka një kalim të sigurtë nga Mariupoli”. Kush tenton të largohet nga qyteti i rrethuar duhet të shkojë në Berdyanskun fqinj, duke parë se prej ditësh, Rusia nuk lejon krijimin e një korridori. Moska shpalli kontrollin në qytetin Izyum, në rajonin verilindor të Kharkivit.

“Sa më të forta sanksionet kundër Rusisë, aq më shumë ndihmojmë ukrainasit dhe më pak zgjat kjo luftë”. Kjo u theksua nga kryeministri britanik, Boris Johnson, i cili mbërriti në Bruksel për të marrë pjesë sot në samitin e liderëve të NATO-s. Ai akuzon Putinin se po sillet në mënyrë barbare dhe kërkoi vendime të forta, për të goditur ekonominë ruse.

Sipas UNICEF-it, një në dy fëmijë ukrainas është detyruar të largohet nga Ukraina prej datës 24 shkurt kur nisi agresoni rus. Në rajonin e Kievit, ushtria shkatërroi mjetet ruse në pjesën veriore të kryeqytetit. Ndërkohë, NATO rikthekson se nuk do të dërgojë trupa apo avionë në Ukrainë, “për shkak se nuk dëshiron përshkallëzimin e konfliktit”. Qëndrimin e përsëriti Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg përballë kërkesës për krijimin e një zone ndalim-fluturimi në Ukrainë.

Grupi i hakerave Anonymous sulmoi Bankën Qendrore Ruse dhe paralajmëroi se “brenda 48 orësh do të publikohen 35 mijë dosje me marrëveshje sekrete”. Ditët e kaluara, Anonymous çaktivizoi faqet zyrtare të disa kompanive që vazhdojnë të veprojnë në Rusi, mes tyre Nestlé që për shkak të presionit u detyrua të reduktojë aktivitetin në Moskë.